Fjalori i Arkitekturës Tradicionale në Gjirokastër vol. 18: Katarah

Kreshnik Merxhani sjell fjalë nga fondi i trashëgimisë kulturore shqiptare në formën e një rubrike periodike, të cilat do të vijnë në formën e nje botimi  “Fjalori i Arkitekturës Tradicionale në Gjirokastër”,  i cili është në punë e sipër.

Katarah/u Shum.Katarah/ë 

Emër

Sin. Llozi i derës, Shuli i derës. 

Kështu emërtohet një element druri kuadratik me përmasa 7cm x 5cm deri ne 12 cm x 10cm i cili ndërfutet në mur në një vrimë të posaçme me përmasa më të mëdha (10cm x 12cm – 12cm x15cm) se vet katarahu për të lejuar një tolerancë lëvizje. Katarahu lëviz horizontalisht në mënyrë lineare në rastin e hapjes apo mbylljes së kanatave apo kanatit të derës. Pozicionimi i tij është gjithmonë në pjesën e brendëshme të derës dhe në mesin e lartësisë së kanatave. Katarahu duhet të jetë forma fillestare e mbylljes së kanatave e cila më vonë u evolua duke përdorur shufra hekuri me çengel apo dhe mekanizma çelsash.

Fig. 1, Skicë ilustruese e elementëve të një dere dhe katarahu si pjesë e sistemit të elementëve të saj. 

Gjatësia dhe përmasat e Katarahut:

Katarahu, del nga foleja e tij e madhe e cila është e pozicionuar gjithmonë në krahun nga ku hapet dera dhe pasi pershkon gjeresinë e plotë të derës hyn në folenë e vogël në faqen përballë për të kryer mbështetjen e plotë të tij dhe mbylljen e kanatit. Në këtë mënyrë katarahu ndërfutet në dy pika duke e vështirësuar shumë hapjen nga jasht të portës edhe nëse ushtrohet forcë e madhe. Katarahu gjithsesi duhet të hyjë 10-30cm në faqen përballë por gjithashtu duhet të ngelet po kaq edhe në folenë e madhe që katarahu të mos dale nga vendi.

Kjo e bën atë të jetë i gjatë se gjerësia e derës.

Fig. 2, Foto e një dere e mbylur me katarah. Katarahu përshkon gjerësinë e derës dhe hyn në mur.

Koka e Katarahut:

Me qëllim tërheqjen e katarahut, në kreun e tij shpesh realizohet një gdhendje në formë kokoshi (formë që në gjirokastër e lidhin me profiling e këndezit, shiko Fig. 3) apo një bufe (kështu quhet kur një trau apo elementi druri i hapet një thellim me daltë që shërben për të futur një element tjetër apo në rastin konkret për të futur gishtat per ta tërhequr katarahun, Shiko Fig. 4).

Fig. 3, Skicë ilustruese e katarahut me gdhendje kokosh. Në këtë rast, dora tërheq pjesën e gdhendur e cila është 3-5cm e trashë. Lëvizja kryhet horizontalisht dhe përshkon krejt gjerësinë e derës deri sa hyn në pjesën e folesë së katarahut në murin faqen e murit përballë.

Fig. 4, Skicë ilustruese e katarahut me gdhendje me bufe. Në këtë rast, gishtat futen te gdhendja në kokën e katarahut dhe e tërheqin atë. Thellimi i bufes është 2-3cm.

Më vonë në kreun e katarahut kemi dhe përdorimin e çerçiveve të hekurta të cilat janë një lloj unazë e kapur me një shufër hekuri e përthyer dhe e ngulur në ballin e traut të katarahut (shiko fig.5).

Kjo zgjidhje është më e vonë për mendimin tonë meqënëse përdor hekurin i cili përdoret pak në arkitekturën tradicionale në Gjirokastër dhe me shumë kujdes, për shkak të kostove por dhe mungesës në treg në kohën kur janë ndërtuar këto banesa.

Fig. 5, Skicë ilustruese e katarahut kur në kreun e tij vendset një unazë metalike prej hekuri e njohur si çerçive. Në këtë rast, gishtat futen te çerçiveja në kokën e katarahut dhe e tërheqin atë. Kjo unazë ka një diameter 3-4cm. 
Fig. 6, Foto e çerçivesë në kreun e katarahut.

Foleja e Katarahut:

Katarahu futet në një fole të krijuar me dërasa (dhoga) të cilat nuk lejojnë copa guri apo llaçi të muraturës të pengoojnë lëvizjen e Katarahut e njëkohësisht ndihmojnë në krijimin e një plani rrëshkitës për të.

Dërasat vendosen në ndërtim e sipër të muraturës. Në fillim dërasa e poshtme, ato anësoret e mbi to duke i mbuluar vendoset një dërasë tjetër që shërben dhe si arkitra i këtij tuneli për kalimin e Katarahut.

Pozicionimi i folesë është në mesin e kanatit siç e kemi përmendur më lart e gjithashtu është rreth 5-10 cm karg kasës së derës me qëllim që të jetë sa më ngjitur me kanatin dhe me strukturën mbajtëse të kadronave lidhës të drasave të kanatit.

Fig. 7, Skicë ilustruese e folesë së katarahut dhe mënyra si vendoset në muraturë.
Foto dhe skica nga Kreshnik Merxhani _ arkitekteza 2020 
fjalori.persona.co

Warning: Parameter 2 to qtranxf_excludeUntranslatedPostComments() expected to be a reference, value given in /hermes/bosnacweb07/bosnacweb07ay/b2860/dom.arkitektezacom/public_html/wp-includes/class-wp-hook.php on line 286
No Comments Yet

Comments are closed