Fjalë, formë dhe kujtesë: Drejt Fjalorit të Arkitekturës Tradicionale në Gjirokastër

“Mbledhja e fjalëve në Gjirokastër mbi arkitekturën dhe orenditë e banesave, nisi nga unë si një nevojë për të kuptuar. Të kuptuarit, nuk kish të bënte thjeshtë me një kuriozitet, mbi të gjitha kish të bënte dhe me të kuptuarit në komunikimin që kisha me mjeshtrit gjatë punimeve restauruese.

Mirëpo, siç dihet, fjala e ka fuqinë të bartë koncepte të përmasave të ndryshme dhe ngjyrimeve të ndryshme e si e tillë, ajo që unë doja – pra të kuptoja- nuk mundet të kryhej pa e ilustruar dhe materializuar fjalën në skicë. Këtë e bëra pasi përtej të kuptuarit dhe kuriozitetit më duhej të garantoja komunikimin, jo vetëm me të tjerët por dhe me vetveten.”

25 Qershor, në ambjentet e Destil, zhvilluam takimin e parë mes Kreshnik Merxhanit dhe ndjekësve të rubrikës së tij “Një fjalë në muaj nga Gjirokastra”. Projekti, fillimisht një publikim i përmuajshëm në blogun arkitektëza, nisi të drejtojë tek një botim të një fjalori të mirëfilltë arkitekture. Ishte ky takim, i cili zbuloi perveçse etjen e profesionistëve e të interesuarve të fushave lidhur me arkitekturën e trashëgiminë, dhe dimensionin antropologjik të punimit të Kreshnikut. Fjalët të cilat ai ka mbledhur, ilustruar e shpjeguar, përfaqesojnë, më shumë sesa elemente të banesës tradicionale në Gjirokastër; ato janë ura të cilat lidhin Kreshnikun ( e nëpërmjet punimit të tij dhe ne ) me njerëz të cilët i kanë ruajtur në kujtesë këto fjalë ndër breza, me historitë e tyre, familjet e shtepitë e tyre.

Sipas Kreshnikut: “Ky botim mbi arkitekturën (dhe cilësinë e jashtëzakonshme të saj) vjen si vazhdimësia e një tradite të gjatë e nisur që nga mjeshtrit që i ndërtuan ato banesa e të zotët e tyre që me kaq shije i porositën, ruajtën e trashëguan por dhe e një brezi të artë të studiuesve dhe gjurmuesve e mbrojtësve shkencore të këtyre pasurive si Ark. Gani Strazimiri, Ark. Emin Riza Ing. Thanas Kamberi, Ark. Agron Doraci etj. Dua të falenderoj thellësisht të gjithë kontribuesit e deri tanishëm por dhe ata që do vijnë. Nuk do dija hiçgjë nëse nuk do kisha takuar e folur gjatë me mjeshtrat si Rifua me shokë që me kaq thjeshtësi më kanë mesuar mbi fjalët dhe zanatin e po ashtu me të moshuarit z.Budin Kale, z.Hadër Topulli, z.Gjyzedin Muço e dëri te brezi i më të rinjve ku do veçoja pa dyshim znj. Arjeta Kokalari dhe z. Sokol Karaulli dhe z. Nesip Skënduli te banesa e të cilit kam mësuar kaq shumë.”

Vendosëm të mbështesim botimin e këtij fjalori, pas një cikli prezantimesh qe do të vijojnë në forma të ndryshme. I ardhshmi do të zhvillohet në Gjirokastër, për të bërë bashkë nën një tjetër peizazh këdo dëshiron të bëhet pjesë e këtij rrugëtimi.

Kreshnik Merxhani duke prezantuar rubrikën “Një fjalë në muaj nga Gjirokastra”

Warning: Parameter 2 to qtranxf_excludeUntranslatedPostComments() expected to be a reference, value given in /hermes/bosnacweb07/bosnacweb07ay/b2860/dom.arkitektezacom/public_html/wp-includes/class-wp-hook.php on line 286
No Comments Yet

Comments are closed