Një fjalë në muaj nga Gjirokastra vol.17

Kreshnik Merxhani sjell fjalë nga fondi i trashëgimisë kulturore shqiptare në formën e një rubrike periodike, të cilat do të vijnë në formën e nje botimi  “Fjalori i Arkitekturës Tradicionale në Gjirokastër”,  i cili është në punë e sipër.

Çatma/ja Shum. Çatmatë, Çatmave

Emër

Muret në banesat gjirokastrite përgjithësisht janë prej guri por kur nevoja e kërkon për të dhënë zgjidhje funksionale dhe arkitektonike, jo pak herë përdoren muret e drurit që në Gjirokastër por dhe në vende të tjera i quajnë Çatma.

Çatmatë janë struktura mikse që zhvillohen kryesisht në vertikalitet me aftësi të ndryshme mbajtëse[1]. Çatmatë kryesisht në gjirokastër përbehen prej kolonave të drurit të cilat janë prej lisi apo rrobulli të mbështetura mbi një tra horizontal i vendosur mbi brezat e murit të gurit në rastet kur çatmaja është në një nivel me muraturën apo i vendosur mbi testekët e çatmasë kur kemi dalje me gjunjë (Erker). Në kreun e tyre, kollonat bashkohen nga trau i çatisë mbi të cilin mbështeten mandej tabanët dhe mahitë e konstruksionit të çatise. Shpesh, lidhja mes trarëve horizontal dhe kollonave bëhet me një dalje në kreun e kollonave në formë piramide me përmasa 4x4cm në bazë e lartë 4-5cm dhe në krye me një ngushtim prej 1 cm duke e kryer bazën e kreut me përmasa 3x3cm. Ky element quhet “bufe” dhe përdoret në të dyja kulmet e kollonës në disa raste. Kollonat me njëratjetrën lidhen dhe me trarë të tjerë horizontal përgjatë gjatësisë duke u kapur me gozhda kovaçi. Ky përbën konstruksionin bazë të çatmave.


[1] Përkufizimi strukturor është dhënë prej inxhinierit gjirokastrit Aleksandër Pesha.

Fig. 1; Fasadë me çatma ku në mesin e saj kemi dhe dalje me gjunjë – lagje Hazmurat, Gjirokastër.
Fig. 2; Prerje aksonometrike e një muri me çatma me listela dhe pa mbushje brenda. Vihen re kanatat e dritareve dhe të tarabave të cilat rreshkasin vertikalisht dhe hyjnë brenda çatmasë për të hapur krejtësisht dritaren. Banesa Dobi dhe W.d. Rooij – Lagje Hazmurat, Gjirokastër.

Çatmatë janë kryesisht të suvatuara, vetëm në raste të ralla, kur ato janë në ambiente jot ë dukshme, mundet të lihen të pa suvatuara. Suvatimi kërkon një strukturë ku të aplikohet e për këtë janë përdorur listela të cilat variojnë nga 3- 8cm porn ë disa raste ka dhe ripërdorim materiali (kur në monument ka pasur ndërhyrje të ndryshme modifikuese në kohë) nga pjesë tavanesh, dollapësh, dyshemesh etj. e në këtë rast, me qëllim që suvaja të kishte ku të “kapej”, sipërfaqja e tyre çukitej me sqepar. Në rastin e çatmave të mirëfillta, me listela 3-8cm, ato ruanin një distance mes tyre e barabartë sa trashësia e gishtit tregues që përkon me 1.2cm. Kjo hapësirë lejonte shtresën e suvasë të hynte mes listelave e të krijonte një ankorim duke u lidhur shumë mirë. Ustai e shtynte shtresën me mallo fort me qëllim që listela të përfshihej tërësisht në suva. Në këtë rast, hapësira mes dy sipërfaqeve të jashtme e të brendëshme të çatmasë, ishte e pa mbushur dhe përbënte një hapësirë boshe.

Fig. 3; Lidhja e suvasë me listelat e çatmasë dhe distanca mes tyre.

Shumë të rralla janë çatmatë ku mbushja mes kollonave dhe trarëvie lidhës kryhej me gurë të vegjël të latuar. Çatmatë nuk kalonin trashësinë e 20cm dhe sit ë tillë gurët ishin të vendosur në një faqe. Mbi to sivatohej mandej. Çatmaja e tillë e fundit ruhej në banesën Kabili dhe u çmontua në janar të 2019. Gjendja e saj ishte kritike por ndërhyrja duhet ta shpetonte këtë element unik në teknikën ndërtimore të qytetit.

Fig. 4; Çatma me mbushje me gure në banesën Kabili – Lagje Teqe (Partizani), Gjirokastër. Foto e vitit 2016 

Çatmatë kur përdoreshin për daljet me gjunjë (Erkerët), ishin në dy, tre,katëtër apo më shumë anë të daljes konsol sin ë rastin e objektit 6-shtë këndëshi në qendër të Pazarit të Gjirokastrës (një tjetër çatma e eliminuar nga ndërhyrjet pa kriter).

Në shumicën e objekteve, ato gjenden në një faqe me muraturën dhe kjo përkon me ndërtimet e shek. 18 e deri në mesin e shek. 19 kur dhe prezantohen në Gjirokastër ndërtimet me dalje me gjunjë (Erker).

Fig. 5; Grup banesash në lagjen Teqe, fasadat e sipërme të të cilave janë të realizuara me çatma, në një nivel me muraturën e kateve më poshtë. Në shumë raste ka qenë përdorur dhe pikturë murale e aplikuar mbi çatma sin ë rastin e banesës Baco (sot Bela – Papadhopulli).

Në fillim të shek.20 kemi një fenomen interesant në trajtimin e çatmave. Duke u furur në vend material të reja si tabakët e llamarinës (pafilles), shumë çatma mbulohen krejtësisht me llamarinë për ti mbrojtur ato prej rreshjeve. Në këtë kohë kemi dhe shkurtimin e strehëve si dhe ri-stilizimin e tyre.

Fig. 6; Çatma në dalje me gjunjë (Erker) në dy drejtime (para dhe djathtas) e cila është e mbuluar krejtësisht me llamarinë. Nëdryrje të tilla janë kryesisht nga fillimi shek. 20. Lagje Meçite, Gjirokastër.

Foto dhe Skica nga Ark. Kreshnik Merxhani

Kreshnik Merxhani  është diplomuar për Arkitekturë në Universitetin Politeknik të Tiranës. Ai është i fokusuar përgjithesisht në Arkitekturën Tradicionale.
Prej 2008 ai është i angazhuar si bashkëautor në projekte restaurimi dhe rijetëzimi të disa monumenteve të periudhës Osmane dhe Komuniste kryesisht në Qytetin e Gjirokastrës.
2014-2016 ka qenë Shef i Sektorit Teknik pranë DRKK – Gjirokastër, zyrë në varesinë e Ministrisë se Kulturës.
Gjatë kësaj kohe ka qenë Arkitekti kryesor për hartimin e disa projekteve të rëndësishme si Projekti për Restaurimin dhe Rijetëzimin e Kalasë së Libohovës, Projekti për Restaurimin e Banesës së Eqerem Çabej etj.




Warning: Parameter 2 to qtranxf_excludeUntranslatedPostComments() expected to be a reference, value given in /hermes/bosnacweb07/bosnacweb07ay/b2860/dom.arkitektezacom/public_html/wp-includes/class-wp-hook.php on line 286
No Comments Yet

Comments are closed