Një fjalë në muaj nga Gjirokastra vol.15

Kreshnik Merxhani sjell fjalë nga fondi i trashëgimisë kulturore shqiptare në formën e një rubrike periodike, të cilat do të vijnë në formën e nje botimi  “Fjalori i Arkitekturës Tradicionale në Gjirokastër”,  i cili është në punë e sipër.

Kadërdhëm/i Shum. Kadërdhëm/e/et[1]

Sin. Kalldrëm Shum. Kalldrëme/t

Emër

Kështu emërtohet një mënyrë shtrimi e rrugëve, sokakëve (rrugë të ngushta) dhe me rrallë e oboreve apo dhe në raste të veçanta e dyshemesë së katit përdhe.Sipërfaqja e kadërdhëmeve shtrohet tradicionalisht, kryesisht me gurë të zi ranor, që në Gjirokastër e quajnë Shtuf. Gurët në formë pllakash me trashësi 5-20cm vendosen në këmbë – vertikalisht – dhe në radhë duke krijuar kështu radhët e kadërdhëmit. Lartësia e gurëve e shkon ±15cm për radhët dhe pak më shumë për gurët e zinxhirëve (radhë gurësh e vendosur perpendicular me radhët e kadërdhëmit). Kadërdhëmet në rastin e rrugëve, janë me pjerësi në formë “kuriz peshku” kur gjerësia e rrugës është e madhe dhe ujërat e shiut drejtohen në anët e saj. Rasti i dytë është kur kemi kadërdhëm në formë “varke” ku pjerrësia është në qendër të kadërdhëmit dhe haset aty ku rruga është e ngushtë. Në formë varke ka qenë kadërdhëmi nga rruga e lagjes Varrosh drejt shtëpisë së shkrimtarit Ismail Kadare por ndërhyrjet e 2015 e ndryshuan këtë morfologji pa respektuar tipologjinë rrugore. Puna për kadërdhëmet sipas gojëdhënave nuk nisej pa pasur më pare katër javë thatësirë. Mandej pasi ishte siguruar lënda, ajo përpunohej me një çekiç të posaçëm për kadërdhëm. Shtrimi niste duke vendosur më parë dy profile të realizuar me dërasë në lartësinë e radhës së kadërdhëmit dhe me pjerrësitë që do i jepej atij. Profilet vendoseshin çdo 20m.Në pjesë të tyre si kulmi, pjesa e luqeve, e zinxhirëve të luqeve etj. vendoseshin spango. Pas kësaj nisej mbushja e njërës anë me luqet, znxhirin dhe radhët e gurëve. Nisej mandej pjesa e gjysmës tjetër dhe në fund zinxhiri që shtëngonte të dyja anët.


[1] Kadërdhëmet janë një element urban i rrëndësishëm në Gjirokastër. Në veprën “Kronikë në Gur” autori I.Kadare, zgjedh ta mbyllë romanin me mardhënien e tij me kadërdhëmen (në vepër me formën letrare – kalldrëm).

Cit. “Erdha prapë pas një kohe të gjatë në qytetin gri të pavdekshëm. Këmbet e mia prekën me druajtje shpinën e kalldrëmit të tij. Më mbajti. Gurë kalldrëmesh që më njohët. Në qytete të huaja, duke ecur nëpër bulevarde të gjera dhe plot drita, më ka qëlluar shpesh të më pengohen këmbët atje ku s’pengohet asnjeri. Kalimtarët kthenin kokën të habitur; por unë e dija, ishit ju. Ju dilnit papritur nga asfalti dhe pastaj fundoseshit prapë në thellësi të tij.” Ismail Kadare “ Kronikë në Gur” 1970


Fig. 1; Prerje tërthore e kadërdhëmit në pjesën e Pazarit të Gjirokastrës. Në prerje duken elementët e kadërdhëmit duke nisur nga muret e ndërtesave, mbrojtja me rasa guri nga lagështia e futur prej trotuarit, trotuari dhe veshja e tij me pllaka guri të zi, muri i trotuarit, luku i kadërdhëmit (kuneta) zinxhiri i lukëve, radhët e kadërdhëmit , zinxhiri i mesit, radha tjetër e kështu në vazhdim.   

Kadërdhëmi përbehet kryesisht nga këta element:

  1. Gurët e kadërdhëmit
  2. Radhët e kadërdhëmit
  3. Zinxhirët e kadërdhëmit
  4. Luqet e kadërdhëmit (kunetat)
  5. Trotuaret e kadërdhëmit

Gurët dhe Radhët e Kadërdhëmit

Kështu quhen gurët që formojnë radhët e kadërdhëmeve. Ata janë kryesisht gri në shumicën e rasteve, por në ndërhyrjet plotësuese të kadërdhëmeve të viteve 50-60 shek. XX, kemi dhe përdormin e gurit të bardhë gelqeror apo ngjyrë roz. Më parë, tradicionalisht mbizotëronte guri gri (ranor) që gjendej në karierat e lagjes Cfakë apo pranë burimit të Viroit (rreth 5km në veri të Gjirokastrës). Në rastin e përdorimit të gurit të badhë dhe roz, kemi kombinim në formë shiritash pasi guri i zi është më i përshatatshëm për hecje pasi ka koeficient fërkimi më të lartë. Ndarja në shirita shpesh ndihmn që këmba të shkelë në pjesën e gurit gri kurse guri i bardhë përdorej për të ulur kostot si dhe ngaqë kariera e lagjes Cfakë dhe ajo e Viroit ishin tashmë të pa shfrytëzueshme më (në vitet 50-60 dhe 70).
Nga vëzhgimet e mia, kadërdhëm me gurë të bardhë para viteve 50 ka pasur në lagjen Dunavat por dhe në disa pjese në lagjen Palorto ku më i famshmi është “Sokaku i të Marrëve”.

Fig. 2; Kadërdhëm me durë të zi dhe të bardhë me shirita. Luku (Kuneta ) është vetëm me gurë të bardhë.  Pazari Gjirokastër 2015.    

Fig. 3; Rakordim i kadërdhëmit në kthesa në Pazarin e Gjirokastrës.  Prill 2016

Luk/u Shum. Luqet

Emër

Kështu emërtohen kanalet anësore (kunetat) të kadërdhëmit të cilat mbledhin ujin dhe e orientojnë atë. Luqet formohen tradicionalisht me pllaka guri të zi, dhe kanë qenë prezente veçanërisht në zonën e pazarit ku dhe gjerësia e kadërdhëmit ishte e madhe. Në vitet 60-të të shek. XX u përdor për kadërdhëmet dhe guri i bardhë apo rozë që vinte nga karierat e dropullit. Në këtë rast, kemi përdorim të kunetave vetëm më gur të bardhë ose dhe me të zi. Rallë kemi kombinime sipas shiritave.


Fig. 4; Luqe të kadërdhëmit me gurë të zi. Pazari i Gjirokastrës. Prill 2016.

Zinxhir/i Shum. Zinxhir/ët

Emër

Kështu emërtohen gurët e vendosura perpendikular me radhët e
kadërdhëmi , në anët dhe në mesin e tij. Zinxhirët, kryejnë rolin e shtrënguesit të radhëve dhe ndarjes së pjerrësive.

Trotuarët

Trotuarët gjenden në pjesën e Pazarit të Gjirokastrës duke u shkallëzuar sipas terrenit. Ata krijojnë një hapësirë mes hyrjes së dyqaneve dhe pjesës së Kadërdhëmit. Trotuarët janë me gjerësi nga 100 cm më i gjeri deri në pjesë që ngushtohen sipas terrenit. Mbizotërojnë trotuaret 90-70cm. Trotuaret janë të mbuluar me pllaka guri të zi ranor –shtuf. Pllakat kanë trashësi 4-6cm dhe janë kuadratike të punuara me çekiç për ti dhënë këtë formë. Ato shpesh dalin 2-3cm nga faqja e murit të trotuareve ku në vitet 60-70 të shek. XX kemi dhe veshjen e tyre me pllaka guri të bardhë.

Mes murit të ndërtesave dhe themelit të tyre, dhe pjesës së trotuarit poshtë pllakave, përdoren disa rasa guri vertikale që janë aty për të mos lejuar ujin që mundet të infiltrohet apo hyjë nga sipërfaqja e trotuarit në themel apo në pjesën e brendëshme të ndërtesës.

Në vitet 60-70 gjithashtu, në trotuare janë krijuar disa vazo guri për vendosjen e ligustrave, pjergullatave etj.

Fig. 6; Elementët e një trotuari tipik në Pazarin e Gjirokastrës. Mars 2016
Fig. 7; Rasa guri vertikale mes murit dhe pjesës ku ishte trotuari i prishur gjatë punimeve në dhjetor 2019 në pjesën e Pazarit të Gjirokastrës. Ndërhyrja nuk e rikuperon më formën tradicionale të hidroizolimit.

Foto dhe Skica nga Ark. Kreshnik Merxhani

Kreshnik Merxhani  është diplomuar për Arkitekturë në Universitetin Politeknik të Tiranës. Ai është i fokusuar përgjithesisht në Arkitekturën Tradicionale.
Prej 2008 ai është i angazhuar si bashkëautor në projekte restaurimi dhe rijetëzimi të disa monumenteve të periudhës Osmane dhe Komuniste kryesisht në Qytetin e Gjirokastrës.
2014-2016 ka qenë Shef i Sektorit Teknik pranë DRKK – Gjirokastër, zyrë në varesinë e Ministrisë se Kulturës.
Gjatë kësaj kohe ka qenë Arkitekti kryesor për hartimin e disa projekteve të rëndësishme si Projekti për Restaurimin dhe Rijetëzimin e Kalasë së Libohovës, Projekti për Restaurimin e Banesës së Eqerem Çabej etj.


Warning: Parameter 2 to qtranxf_excludeUntranslatedPostComments() expected to be a reference, value given in /hermes/bosnacweb07/bosnacweb07ay/b2860/dom.arkitektezacom/public_html/wp-includes/class-wp-hook.php on line 286
No Comments Yet

Comments are closed