In Memoriam: Maks Velo

@Armand Sallabanda, Flickr

“Përmasa e një njeriu nuk tregohet në qëndrimet që ai mban në momente rehati dhe komoditeti, por ku qëndron në momente sfidash dhe kundërshtish.” Martin Luther King

Kush ishte Maks Velo ?

Artisti reaksionar që zgjodhi të mos bënte kompromis me sistemin apo aristokrati i vetëkënaqur që artin e përdori si mjet për të ushqyer vanitetin e tij?

Ku qëndron e vërteta mes etiketimit si borgjez, snob (sine nobiltas), ekstravagantit si synim apo rebeli që diti të mbijetonte, këmbëngulesi në debatin shoqëror, politik dhe ekonomik, zëri ndryshe në kakofoninë e të bindurve ?

Nxënës i piktorit Vangjush Mio, idhujtar i Pikasos, Matisit, Shagalit, Maks Velo lind në Paris (Francë), në familjen e doktor Sotirit. Vizatonte bukur, i binte instrumentave, lexonte në disa gjuhë të huaja si frëngjisht, italisht, rusisht etj, por ëndërronte të bëhej arkitekt.

Pas diplomimit caktohet si arkitekt në byronë e projektimit të Komitetit Ekzekutiv të Kryeqytetit. Deri në vitin 1973 është autor i mjaft ndërtesave publike, shoqërore e kulturore si salla e “Milleniumit”, ish-Kinema “Pionieri”, e realizuar në vitin 1973; godina e ATSH-së, në vitin 1971; shkolla “Emin Duraku”; ish-hotel “Arbana”; stoli i famshëm i Parkut të Liqenit në vitin 1963; projekti për një ambasadë bullgare që nuk u realizua; një variant modern për ndërtesën e Muzeut Historik Kombëtar; Uzina Mekanike në Peshkopi, etj.

Po këtë vit fillon të kritikohet si artist në Konferencën e Partisë së Tiranës për artin dhe letërsinë, e më pas në vitin 1975 kritikohet sërish nga Konferenca Kombëtare për Arkitekturën ku u akuzua për tendenca moderniste në projektet e tij.

Në vitin 1978 Maks Velo arrestohet dhe pas 6 muajve në hetuesi, dënohet me 10 vjet heqje lirie, në burgun e Spaçit me punë të rëndë të detyruar. Me vendim gjyqi i digjen 246 vepra dhe i konfiskohen të gjithë koleksionet dhe librat. Maks Velo refuzoi disa herë kërkesën për të qënë bashkëpunëtor i Sigurimit të Shtetit, si pasojë u dënua që pas burgut të punojë si punëtor i thjeshtë dhe të mos e ushtrojë profesionin e tij të arkitektit. Pafajësia e tij shpallet nga Gjykata e Lartë e Republikës së Shqipërisë në vitin 1991.

Maks Velo do të marrë me vete dhe hijet e qëndrimeve e pohimeve të tij: herë provokatore, herë me pluhur, tela e gjemba, ndonjëherë të nxituara, të gjitha të zhveshura e të lakuriqta që tronditen e mërziten jo pak herë shqiptarët, të mësuar me mungesën e interpretimit të fjalës. E megjithatë, Maks Velo vinte si zëri kundër, mendimi ndryshe, në një turmë e cila ndjek përherë rrymën dhe mëson heshtjen e pranimin si vlerë të re shoqërie.

Pavarësisht dikotomisë së mendimeve rreth tij, dicka mbetet e pakontestueshme: Maks Velo do të përfshihet në historinë e arkitekturës shqiptare si një figurë e rëndësishme, histori e cila po bëhet e padeshifrueshme, me një teksturë qyteti në ndryshim të vazhdueshëm e ndërtesa që eliminohen ose transformohen pa kriter.

Lamtumirë, Maks!


Warning: Parameter 2 to qtranxf_excludeUntranslatedPostComments() expected to be a reference, value given in /hermes/bosnacweb07/bosnacweb07ay/b2860/dom.arkitektezacom/public_html/wp-includes/class-wp-hook.php on line 286
No Comments Yet

Comments are closed