Gardhi si gjesturë arkitektonike e institucioneve publike – Tea Mersuli

“Nuk ka hapësirë private, e vetmja hapësirë private është mendja e njeriut”- shprehet një ndër arkitektët më në zë të shekullit të kaluar, Paulo Mendez da Rocha.

Dhe mbi këtë kuotë të bujshme fshihet një e vërtetë e heshtur mbi shtresëzimin e kuptimit e funksionimit të arkitekturës dhe urbanistikës së një qyteti, ku, për të komunikuar koncepte abstrakte psikosociale, shtrirë në kohë e në hapësirë, një shoqëri ndërton me tullë, beton a çelik, raportet e paramenduara sociale e kulturore, të cilat shpeshherë janë më lehtësisht të lexueshme nëpërmjet ndërtimit sesa kodeve të shkruara.

Kësisoj endjet nëpër qytet i ngjajnë vëzhgimit të dy njerëzve që komunikojnë, ku dhe pa dëgjuar bisedën, falë gjesteve, posturës dhe mimikës, lexon dhe kupton kontekstin dhe dialektikën e dinamikës së pushtetit mes klasash e grupimesh sociale,që së bashku kanë ndërtuar dita ditës dhe vazhdojnë të ndërtojnë qytetin ku jetojnë.

Në endjet si këmbësor në Tiranë lehtësisht shikimi kapet nga një gjest arkitekturor detajor, i cili përtej ekliktizmit që karakterizon qytetin, përsëritet dendur përngjashmërisht me lëvizje të shpreshta nervozizmi dhe mbylljeje të një njeriu, si kryqëzimi e krahëve e tundja e këmbës. Përtej ngjyrave dhe partereve të ridizejnuar, në Tiranë, në heshtje të padukshme rivijëzohen kufij parcelash duke nisur që nga vendosja e vazove të vogla me lule që rrethojnë tavolinat e bareve në trotuare, shtrimi me pllaka të veçanta copëza trotuaresh në hyrje dyqanesh, ngritja e platformave të drunjta pak centimetërshe mbi trotuare ekzistuese, deri në ndërtim gardhesh, kangjellash, muresh nga një pëllëmbë deri në dy metër të lartë, të cilët rrethojnë një sërë institucionesh publike duke nisur nga çerdhe, kopështe, shkolla, spitale, fakultete, agjensi kombëtare, institucione fetare, ministri etj.

Përsëritja e këtij fenomeni, të cilit i shpëtojnë vetëm institucionet publike në rreze aksesi të sheshit Nënë Tereza, bulevardit Dëshmorët e Kombit dhe sheshit Skënderbe, pasqyron deri diku problemin e kahershëm të pronave, i cili si kompleks social ka sjellë domosdoshmërinë e shprehisë së ndarjes së hapësirës publike vs private duke theksuar përpjestimisht kufirin-gardh. Kësisoj, për të kuptuar problemin e pronave, simptomat e tij janë të dukshme dhe larg periferisë informale, ashtu në heshtje në rrugët e qytetit, në hyrje të çdo institucioni. E pikërisht sepse shkaktari origjinal i një fenomeni social nga godinat e institucioneve është zhdukur, lind pyetja mbi domethënien e tij sot, mbi simbolikën dhe efektin e tij psikologjik, social e praktik te qytetari këmbësor.

Akti i rrethimit të institucioneve publike e godinave private me funksion publik, i pahasur në simotrat e tyre në Europë e gjetkë, simbolizon “murin” ndarës mes individit dhe institucionit në shërbim të tij, duke pasqyruar e duke theksuar mosbesimin e ndërsjelltë mes tyre. Në historinë e tij, ndërtimi i mureve rrethuese në brendi ose përqark qyteteve për arsye mbrojtjeje ka shërbyer si i tillë përgjatë antikitetit, mesjetës, duke përmendur murin e Kinës, qyteteve antike, kalave e qyteteve mesjetare e rilindase dhe gradualisht është shuar dhe zhdukur në fillim të modernitetit, si pasojë e shuarjes graduale të konflikteve të hapura e vendosjes së paqes në Europë, dhe gjetjes së metodave më të zbutura të krijimit të perceptimit të sigurisë. Përdorimi i mëvonë i murit ndarës në urbanistikë përkon me krijimin e sistemeve autokratike dhe përplasjet e thella sociale në messhekullin e njëzetë, ku muri u shndërrua në simbolikë segregimi dhe injorimi mes kulturash e shtresash ekonomike e sociale si në rastin e murit të Berlinit, Rio de Zhanieros, e një sërë qytetesh me pakica etnike të Europës Lindore përgjatë komunizmit.

Në ditët e sotme gardhi, si objekt fizik, është i pamjaftueshëm për tu vetëjustifikuar me qëllimin e sigurisë, kur paralelisht godinat ruhen nga kamera, personel sigurie dhe shërben si hallka më lehtësisht e tejkalueshme në këtë aspekt, dhe më tej, në perceptim ka efekt të kundërt duke rritur ndjesinë e pasigurisë jashtë gardhit, pasi shënimi me mur i një zonë të sigurt shpall detyrimisht zonën e parrethuar si më pak të tillë: kur institucione të larta shtetërore kanë nevojë për të vizatuar me mure sigurinë e tyre, mesazhi që i dërgohet qytetarit përtej murit është pasiguri edhe më e madhe. Duke qenë se qytetari ndodhet përbri murit, ai vetë shihet me dyshim nga institucioni, dhe ai vetë sheh institucionin me dyshim për shkak se ky i fundit ruhet ndaj tij, kur duhet të ruajë atë. Prandaj prezenca e theksimi i kufijve mes institucioneve publike e qytetarëve shndërron metaforën e murit në objekt fizik që krijon ndasi dhe thellim ndasish në një komunikim ku mesazhi duhet të jetë i anasjelltë.

Në një këndvështrim më praktik, duke u nisur nga fakti që funksioni i sigurisë qëndron shumë pak ose aspak, lind nevoja të analizohet situata hipotetike e mungesës së gardhit në praktikë. Tirana, si një qytet me mungesë hapësirash të gjelbërta, e ka më të lehtë të lehtësojë aksesin e qytetarit në hapësira të gjelbërta ekzistuese, të cilat sot rrethohen me mure e kangjella. Qytetari këmbësor, përtej mesazhit të gabuar të simbolikës së murit, privohet dhe nga vendpushime, parqe të vogla gjysmë parking – gjysmë bar, herë të paartikuluara, herë të rinovuara, që fshihen mbas murit që rrethon institucionet publike. Afrimi i qytetarit në hapësirat e institucioneve, përveçse shton hapësirat e gjelbërta të aksesueshme në qytet, i vesh atyre karakteristika të vendpushimeve të qeta e kohëshkurtër të ruajtura nën petkun e peshës e pranisë psikologjike të institucionit mbi krye, çka rrjedhimisht shton perceptimin e sigurisë, besimit e përkujdesjes në raportin qytetar-institucion.

Endjet në Tiranë pashmangshmërisht hasin në praninë e një muri, gjysmë muri të rrënuar, kangjelleje a gardhi vazosh lulesh që shoqëron kalimtarin hap pas hapi. Edhe pa u dalluar si pengesë, pavetëdijshëm perceptohet si një ngurrim e ndrojtje arkitektonike që shkakton ngërç në komunikim në qytet, kur në fakt barrierat simbolike e fizike duhen zbutur e gradualisht zhdukur nga rrugicat e trotuaret duke çtensionuar fizikisht lëvizjen në qytet e simbolikisht raportet institucion-qytetar, dhe rrjedhimisht qytetar-qytetar. Në një kohë kur sfida kryesore e qyteteve është dizbarrierëzimi, lehtësimi i lëvizjes dhe aksesi për t’i dhënë fluiditet dhe natyrshmëri komunikimit të vazhdueshëm brenda qytetit, prania e gardheve simbolike i përngjason një gjesti të pavullnetshëm joetik në morinë e sekuencave arkitektonike në qytet.

Tea Mersuli, janar 2019


Warning: Parameter 2 to qtranxf_excludeUntranslatedPostComments() expected to be a reference, value given in /hermes/bosnacweb07/bosnacweb07ay/b2860/dom.arkitektezacom/public_html/wp-includes/class-wp-hook.php on line 286
No Comments Yet

Comments are closed