“Fabrika” – Tea Mersuli, Tomáš Danko, Dante Dang

“Fabrika”

Grupi i punës: Tea Mersuli, Tomáš Danko, Dante Dang

Tipi i projektit: Studim

Data: Korrik 2018

Konkursi: CTBUH 2018

 

 

Kur flitet për kulla, rrallëherë termit në fjalë i bashkëngjitet koncepti i “zonave kafe” të qyteteve tona. Pikërisht për këtë arsye, grupi ynë vendosi që, në një konkurs ndërkombëtar për ide kullash, të adresojë këtë ndërlidhje të munguar, duke tentuar që t’i përgjigjet dy prej pyetjeve më të rëndësishme të arkitekturës dhe urbanistikës bashkëkohore, siç janë nevoja për volum dhe vertikalitet për të kursyer hapësira në qytetet tona moderne, dhe njëkohësisht hapësirat e zbrazta të papërdorura të ish zonave industriale të kthyera fantazma në dalje të qyteteve.

Përzgjedhja e qytetit të Korçës nuk ishte kurrsesi e rastësishme, por një akt simbolik nisur nga historia dhe trashëgimia kulturore e qytetit, rëndësia regionale dhe më së shumti për shkak të trendit të kohëve të fundit për të restauruar dhe riadaptuar hapësira të këtij qyteti, trend që ende nuk ka prekur zonat ish-industriale.

Jeta aktive artistike, agroturizmi, arkitektura karakteristike dhe së fundmi ndërhyrjet në qytet kanë rritur ndjeshëm numrin e turistëve që vizitojnë Korçën rregullisht, çka shtron pyetjen mbi nevojën që do të ketë qyteti në një të ardhme jo të largët për të zgjeruar kapacitetet akomoduese, dhe pse jo, për të zgjeruar fizikisht dhe vetveten.

Analiza dhe koncepti urbanistik

Duke analizuar strukturën dhe shtrirjen e qytetit, është lehtësisht e kuptueshme që, qoftë dhe në mënyrë organike, qyteti ka tendencë gradualisht të zgjerohet sipas aksit rrugor, në të cilin ndodhet dhe zona ish-industriale e qytetit, e njohur si “Fabrika”/ ish TEC-i i Korçës. Ky bosht atraksionesh, që fillon nga Katedralja, vazhdon me Muzeun, Shkollën e Parë Shqipe, Teatrin, momentalisht përfundon deri te Pazari i Vjetër, synon të vazhdojë natyrshëm në drejtim të kufirit të sotëm të qytetit. Pyetja që ngrihet është nqs ky zgjerim i qytetit mund të kryhet nëpërmjet riadaptimit të zonës industriale të Korçës, duke pasuruar kësisoj arkitekturën e qytetit me një filozofi restaurimi dhe jetese ndryshe, që për pasojë do të riforcojë identitetin kulturoror të qytetit, do të ndikojë rrjedhimisht si udhëzues për zgjerimin e qytetit me parim ekologjinë dhe ruajtjen e arkitekturës jo domosdoshmërisht trashëgimi kulture.

 

Plani i zonës

Mënyra e përzgjedhur e ndërhyrjes në ish TEC-in e Korçës bazohet në parimin e rigjallërimit të zonës, së pari nëpërmjet krijimit të hapësirave të gjelbërta, të cilat shërbejnë si një “qendër e dytë”, hapësire e re publike me efekt decentralizues të aktiviteteve në qytet, dhe së dyti, shërbejnë dhe si pastrues i një zone ish industriale me gjasa e ndotur me toksina, dhe së treti krijojnë një karakter më human, qoftë dhe optikisht, për një zonë të ndërtuar në shkallë të madhe.

 

Aksionometria e parë nga sipër 

Objektet ekzistuese në këtë parcelë, i nënshtrohen ruajtjes së volumit dhe kompozimit arkitektonik e material, duke përjashtuar këtu vetëm oxhakun.

 

Objekti qendror

Ndërtesa qendrore shndërrohet në një “shesh” të zonës, duke shërbyer edhe si hapësirë e hapur dhe e mbyllur në një pjesë të saj. Pjesa veriore e objektit mbyllet po sipas projektit orgjinal, këtë herë me tullë xhami, duke krijuar hapësira të reja për sipërmarrje të vogla:restorante, dyqane, bare, coworking etj, pjesa tanimë e shëmbur e objektit ruhet në gjendjen ekzistuese duke krijuar një “shesh me tri fasada”, si hapësirë multifunksionale për koncerte, panaire, festivale dhe tregje, evente karakteristike të qytetit që hasin që tani nevojë për zgjerim kapacitetesh. Ndërtesa e dytë buzë rrugës kryesore shërben si godinë administrative, qendrore e të gjithë arealit.

 

 

Reaktori

Reaktori i TEC-it ruhet në gjendjen aktuale, me ndërhyrje minimale për të lehtësuar aksesin në objekt, duke ruajtur veçantinë e strukturës së hapur, që, për shkak të formës së saj, ndriçohet natyralisht në një mënyrë “sakrale”, duke krijuar një karakter monumental atipik në vetvete dhe në gjithë arealin, që i shtrohet qytetit si atraksion jo lehtësisht i hasshëm në brendi të zonave të banuara. Nga ana funksionale, duke qenë një objekt i hapur simetrik, reaktori adaptohet lehtësisht në një hapësirë për ekspozita të përkohshme, evente për diskutime dhe dëgjesa, pse jo dhe si një altar i mundshëm.

Oxhaku

Oxhaku është objekti i tretë përberës i arealit, të cilit i nënshtrohen më shumë ndërhyrje, duke i dhënë një funksion edhe më atipik. Lartësia e oxhakut dhe vendndodhja e tij në raport me qytetin dhe panoramën e qytetit ofrojnë një tip të ri akomodimi të turistëve, të ndryshëm nga oferta momentale e guesthouses dhe villave e hoteleve tradicionale në qytet. Oxhaku në vetvete ruhet, duke shërbyer si pjesë qendrore e shtesës, në të cilin vendoset komunikimi vertikal që bën të mundur lëvizjen në objekt.

 

Prerje dhe plane

Ideimi i mini-apartamenteve synon të theksojë panoramën që ofron, si dhe praninë e oxhakut, duke theksuar këto dy principe nëpërmjet minimizimit të gjerësisë së hapësirave, të cilat rrotullohen rreth oxhakut dhe nëpërmjet afërsisë së çdo ambienti me fasadën e qelqtë, e cila mundëson vëzhgimin e gjithë panoramës së qyteti të vjetër dhe natyrës përreth Korçës. Çdo miniapartamenti i bashkangjitet një ballkon i gjelbërt, i cili afron natyrën edhe në lartësi. Oxhaku i shtron qytetit kapacitetin e akomodimit me 150 turistë të rinj, dhe së bashku me arealin e ish Tecit të Korçës diversifikon dhe decentralizon zhvillimin e qytetit.

 

 

 

Skemat e hijezimit, levizjes dhe gjelberimit

 

Kulla

 

Miniapartamentet

© Imazhet dhe teksti Tea Mersuli, Tomáš Danko, Dante Dang


Warning: Parameter 2 to qtranxf_excludeUntranslatedPostComments() expected to be a reference, value given in /hermes/bosnacweb07/bosnacweb07ay/b2860/dom.arkitektezacom/public_html/wp-includes/class-wp-hook.php on line 286
No Comments Yet

Comments are closed