Një fjalë në muaj nga Gjirokastra vol.9


Kreshnik Merxhani  është diplomuar për Arkitekturë në Universitetin Politeknik të Tiranës. Ai është i fokusuar përgjithesisht në Arkitekturën Tradicionale.
Prej 2008 ai është i angazhuar si bashkëautor në projekte restaurimi dhe rijetëzimi të disa monumenteve të periudhës Osmane dhe Komuniste kryesisht në Qytetin e Gjirokastrës.

 2014-2016 ka qenë Shef i Sektorit Teknik pranë DRKK – Gjirokastër, zyrë në varesinë e Ministrisë se Kulturës.
Gjatë kësaj kohe ka qenë Arkitekti kryesor për hartimin e disa projekteve të rëndësishme si Projekti për Restaurimin dhe Rijetëzimin e Kalasë së Libohovës, Projekti për Restaurimin e Banesës së Eqerem Çabej etj.

Kreshniku sjell fjalë nga fondi i trashëgimisë kulturore shqiptare në formën e një rubrike periodike, të cilat do të vijnë në formën e nje botimi  “Fjalori i Arkitekturës Tradicionale në Gjirokastër”,  i cili është në punë e sipër.

Këtë muaj sjellim termin :

Zare Shum. Zare-t      

Emër

Sinonime në gjuhën teknike – Plintus; Batiskop.

1.

Kështu emërtohet një shirit druri përreth dyshemesë i cili mbron pjesën e suvasë prej leckës që përdorej për pastrimin e dyshemeve të drurit si dhe nga gervishtjet apo thërmimet që mundet të shkakthen prej lëvizjeve të banorëve, lëvizjes së dyshemesë dhe që kryente më mirë lidhjen e dyshemesë së drurit në pikën e takimit me murin duke qenë të dy prej druri.

Fig. 1; Zare në divanin e  banesës  Babameto në lagjen Teqe- Gjirokastrës.   

Fig. 2; Zare në ballin e Musandarasë (dollap në kreun e Odës) në  banesën  Beja (Kapodistria) në lagjen Cfakë – Gjirokastrës.   

Jo rradhë herë rolin e Zares e luante një shirit I lyer me ngjyrë të kuqe dheu apo të kuqe të ndezuar njësoj si Arallëqet (fugaturat) mes pllakave të gurit e cila gjithashtu kishte funksionin e mbrojtjes së mureve të bardha me gëlqere dhe “fshehjen” e papastërtive që lë lecka të cilat mbi gëlqere do ishin më të dukshme.

Fig. 3; Zare e krijuar me lyerje të ngjashme me atë të fugave të dyshemesë me pllaka guri në Patet (kati i parë)  në  banesën  Zeko në lagjen Palorto – Gjirokastrës.   

Në krahina të tjera (Delvinë , Rrëzomë) njihet dhe me emrin Brezar i cili nënkupton një brez përreth dyshemesë dhe që me gjasë ka lidhje me shkurtimin që ka termi në Gjirokastër duke mbajtur vetëm pjesën e fundit.

Zaret ishin kryesisht prej dru pishe të kuqe (Rrobull) dhe kapeshin me murin përmes disa kunjash (Fig.1) po prej dru pishe apo dhe dru lisi. Ata ishin në një nivel me suvanë duke mos krijuar dhëmbëzim çka lë të kuptohet që vendoseshin në murature para suvatimit. Kjo zgjidhje jo vetëm që njëtrajtësonte sipërfaqen e murit por dhe nuk krijonte mundësi për akumulim pluhuri në kreun e zares (plintusit) një problem i zakonshëm në mënyrën se si zgjidhet sot kjo hollësi ndërtimore.

Zarja vendosej mbi dërasat e dyshemesë duke mbuluar kështu pamjen jo të regullt të fundit të dërasave dhe duke krijuar një linjë uniforme dhe në harmoni me pamjen e plotë të brendisë së kthinave.

Sot kryesisht nuk lyhen dhe kështu duhet të kenë qenë që në zgjidhjen origjinale edhe pse ka raste kur i gjejmë të lyera me ngjyrë si muri (shpesh ngjyra e bardhë e gëlqeres) apo dhe me pigment të kafes së kuqëremtë apo dhe të tjera kur në murature amvisat krijojnë një fashaturë me ngjyra të errëta për të eliminuar efektin e “ndotjes” nga lecka apo fshesa e pastrimit.

Fig. 4; Zare e druri në fundin e bllokut Musandara-Dhipato në kreun e Odës. Kjo formë e Musandara-Dhipatos lidhet me atë që quhet “Baroku Osman” kur ndryshe nga periudha klasike, tashme dollapet e musandarase zvogëlohen dhe Dhipato mbyllet krejtësisht e në vend të tyre ka forma të harkuara tipike për Barokun. Zarja në fundin e tyre (me ngjyrë të kaltër si dhe dollapet) ndjek formën e Musandarasë dhe e mbron atë nga lagështia që krijohet kur pastrohen dyshemetë. Banesa Zeko në lagjen Palorto – Gjirokastrës.   

Zaret hasen në formë të ulët në ambientet e përbashkëta si koridore apo në hajate e divane ndërsa në pjesën e odave kemi fashatura të larta me dy nivele për të lejuar dhe mbështetjen e mindereve e jastekëve në to pa u vunë në kontakt me murin. Në këtë rast, kapja me muraturën kryhet përmes disa listelave vertikale shpesh 5x3cm të cilat kapen me kunja në murature dhe mbi të cilat vendosen dërasat në dy nivele duke i bashkuar mes tyre me listelë.

Sipërfaqja e takimit të zares me murin shpesh nuk trajtohej me nivelim me llaç por thjesht përmes kunjave (Pjolave Gjr.) e listelave arihej të bëhej nivelimi i zareve.

Fig. 5; Zare dyfishe në vendik ku kanë qenë shtratet e mindereve në Odën e banesës Çabej në lagjen Palorto – Gjirokastrës.   Vihet re që pjesa tashmë e dëmtuar tregon se pas Zares dhe Mindereve sipërfaqja e murit nuk trajtohej me llaç apo suva.

 

 

Skica dhe foto nga Kreshnik Merxhani


Warning: Parameter 2 to qtranxf_excludeUntranslatedPostComments() expected to be a reference, value given in /hermes/bosnacweb07/bosnacweb07ay/b2860/dom.arkitektezacom/public_html/wp-includes/class-wp-hook.php on line 286
No Comments Yet

Comments are closed