Një fjalë në muaj nga Gjirokastra vol.13

Kreshnik Merxhani sjell fjalë nga fondi i trashëgimisë kulturore shqiptare në formën e një rubrike periodike, të cilat do të vijnë në formën e nje botimi  “Fjalori i Arkitekturës Tradicionale në Gjirokastër”,  i cili është në punë e sipër.

Këtë muaj sjellim termin :

Manxarudhë/a Shum. Manxarudhat

Emër

1.

Kështu emërtohet një kanat i hapshëm mbi dritare apo pjesa e sipërme e hapshme e saj si dhe një dritare mbi derë e cila në të dyja rastet shërben për ajërosjen e ambientit. Ky kanat, mundet të hapet plotësisht apo pjesërisht. Në gjuhën teknike njihen si sopraluçe (prej italishtes) ndërsa në Gjirokastër i hasim me këtë emërtim. Emërtimin haset dhe “Manxanullë” siç e kemi mbledhur në terren por që më shpesh përdoret fjala Manxarudhë.

Termi haset dhe në gjuhën greke në formën “manxalluthër” e ngjashme me atë që përdoret në Shqip.

Kanati kryesisht hapet së poshtmi dhe në pjesën e sipërme ka ose një element metalik që quhet “flutur” ose ka çengel metalik.

Së fundmi, në punimet që po kryhen në ndërtesën e Gjimnazit të Gjirokastrës (Asim Zeneli) në lagjen Palorto, janë vërejtur manxarudha të mbyllura mbi dyer të cilat përveçse ajërimit, ndriçonin dhe koridorrin.

 

Fig. 1; Maxarudhë mbi dyert e dyqanit të familjes Babameto e Tota në Pazarin e Gjirokastrës.

 

Fig. 2; Skicë e një Manxarudhe mbi derë dhe preja teknike e saj ku ilustrohen elementët e arkitrarëve, kasës dhe kanatit. Maxarudhë mbi dyert e dyqanit të familjes Babameto e Tota në Pazarin e Gjirokastrës.   

 

Fig. 3; Manxarudhë e mbyllur mbi dyert e klasave të Gjimnazit Asim Zeneli (Ndërtim i viteve 30-të, Shek. XX).

 

Skica dhe foto nga Kreshnik Merxhani

P.S: Falënderojmë z. Kostaq Hila për variantin e fjalës në greqisht dhe spjegimin nga z. Sokol Karaulli për përdorimin e saj në Gjirokastër. Gjithashtu falënderim i veçantë për z. Hadër Topulli i cili më bëri të ditur fjalën dhe kuptimin e saj në vizitën që pat ate banesa e tij në vjeshtën e vitit 2011.

 

Kreshnik Merxhani  është diplomuar për Arkitekturë në Universitetin Politeknik të Tiranës. Ai është i fokusuar përgjithesisht në Arkitekturën Tradicionale.
Prej 2008 ai është i angazhuar si bashkëautor në projekte restaurimi dhe rijetëzimi të disa monumenteve të periudhës Osmane dhe Komuniste kryesisht në Qytetin e Gjirokastrës.

2014-2016 ka qenë Shef i Sektorit Teknik pranë DRKK – Gjirokastër, zyrë në varesinë e Ministrisë se Kulturës.
Gjatë kësaj kohe ka qenë Arkitekti kryesor për hartimin e disa projekteve të rëndësishme si Projekti për Restaurimin dhe Rijetëzimin e Kalasë së Libohovës, Projekti për Restaurimin e Banesës së Eqerem Çabej etj.


Warning: Parameter 2 to qtranxf_excludeUntranslatedPostComments() expected to be a reference, value given in /hermes/bosnacweb07/bosnacweb07ay/b2860/dom.arkitektezacom/public_html/wp-includes/class-wp-hook.php on line 286
No Comments Yet

Comments are closed