Një fjalë në muaj nga Gjirokastra vol.12

Kreshnik Merxhani sjell fjalë nga fondi i trashëgimisë kulturore shqiptare në formën e një rubrike periodike, të cilat do të vijnë në formën e nje botimi  “Fjalori i Arkitekturës Tradicionale në Gjirokastër”,  i cili është në punë e sipër.

Këtë muaj sjellim termin :

Oxhak/u Shum. Oxhakët

Emër

1.

Kështu emërtohet tërësia e elementëve që përbëjnë vendin ku ndizet zjarri si dhe kanalet në muraturë e mandej volume mbi çati nga ku del tymi. Emri duhet të vijë prej përdorimit të fjalës osmanisht “Oxhak” që do të thotë Tym. Oxhakët lidhen me prestigjin e familjes dhe shpesh hasen raste oxhakësh thjesht dekorativë veçanërisht në odat e mira.

Oxhakët kanë këto elemente përbërës të cilët bartin emërtimet specifiki në Gjirokastër dhe të cilët janë si më poshtë:

  1. Gjirma ose ajo që njihet në gjuhën letrare si Vatra. Gjirma është vendi ku ndizet zjarri. Duke qenë në brendinë e odave me dysheme druri, gjirma formohet nga një sipërfaqe e shtruar me gurë, kryesisht të zi (silicor). Në disa raste ajo është rreth 10-12cm mbi nuvelin e dyshemesë, e rretuar me një kornizë druri që kufizon sipërfaqen me gurë. Zjarri ndizet në qendrën e saj. Në këtë rast, për të mos e trasmetuar nxehtësinë prej gurëve në dysheme, krijohet një hollësi ndërtimore interesante duke hapur në pjesën e gjirmës dyshemene dhe duke ndërprere trarët e nderkatit aty (gjirma shpesh ka gjerësi 120cm x 120cm) dhe duke krijuar një thellim me dërasa ku më pas mbushet me dhe. Dheu e akumulon nxehtësinë dhe nuk e trasmeton ate në ndërkat çka do të rezikonte ta digjte atë.
  2. Buharia është pjesa e fryrë e oxhakut shpesh e dekoruar në Odat e Mira, me motive në reliev apo me pikturë mbi formën e krijuar me gips tradicional.
  3. Kaperxhaku është një bordurë mbi pjesën e oxhakut mbi zbukurimin që bëhet apostafat për të lënë filxhanët e kafesë, xhezven, kutinë me kafe dhe sheqër, cimbillin ,kutinë e duhanit  a shkrepësen etj[1].

Fig. 1; Oxhaku i dekoruar i Odës së Mirë në banesën Zekate – Lagje Palorto.

Fig. 2; Prerje tërthore e një oxhaku dhe elementët e tij.

 

Fig. 3; Oxhak me dekoracion në reliev. Ndodhet në oden e mirë të banesës Angoni, Monument i Kategorisë së Parë në lagjen Dunavat i dytë.

 

Fig. 4; Oxhakë të restauruar të banesave Gurgai – Monumente të kategorisë së dytë në lagjen Hazmurat.

 

Fig. 5; Oxhakë me dhomë ajri në krye në banesën Babameto në lagjen Teqe.

Skica dhe foto nga Kreshnik Merxhani

[1] Për këtë fjalë dua të falënderoj z. Sokol Karaulli.

 

Kreshnik Merxhani  është diplomuar për Arkitekturë në Universitetin Politeknik të Tiranës. Ai është i fokusuar përgjithesisht në Arkitekturën Tradicionale.
Prej 2008 ai është i angazhuar si bashkëautor në projekte restaurimi dhe rijetëzimi të disa monumenteve të periudhës Osmane dhe Komuniste kryesisht në Qytetin e Gjirokastrës.

2014-2016 ka qenë Shef i Sektorit Teknik pranë DRKK – Gjirokastër, zyrë në varesinë e Ministrisë se Kulturës.
Gjatë kësaj kohe ka qenë Arkitekti kryesor për hartimin e disa projekteve të rëndësishme si Projekti për Restaurimin dhe Rijetëzimin e Kalasë së Libohovës, Projekti për Restaurimin e Banesës së Eqerem Çabej etj.


Warning: Parameter 2 to qtranxf_excludeUntranslatedPostComments() expected to be a reference, value given in /hermes/bosnacweb07/bosnacweb07ay/b2860/dom.arkitektezacom/public_html/wp-includes/class-wp-hook.php on line 286
No Comments Yet

Comments are closed