Një fjalë në muaj nga Gjirokastra vol.11

Kreshnik Merxhani sjell fjalë nga fondi i trashëgimisë kulturore shqiptare në formën e një rubrike periodike, të cilat do të vijnë në formën e nje botimi  “Fjalori i Arkitekturës Tradicionale në Gjirokastër”,  i cili është në punë e sipër.

Këtë muaj sjellim termin :

Gaxhape/ja Shum. Gaxhapet

Emër

 

1.

Kështu emërtohen disa kamare druri pjesë e musandarasë të cilat janë tre apo dhe katër dhe ndodhen në krahët e musandarasë në mënyrë simetrike.

 

Gaxhapet përdoreshin për të vendosur aty dokumenta, enë dekorative dhe mjete të tjera të vogla.

Fig. 1; Gaxhapet në një musandara të formave të fund shek. XIX fillim shek. XX. Në këtë periudhë kemi ndikimet në arkitekturën osmane të brendive të odave prej artit barok ku shihen dhe format e kurbëzuara në formë zemre. Elementi i dhipatos (pjesa e sipërme e musandarasë) është më e ulët si pasojë dhe e uljes së lartësisë së odës.

Gaxhapet realizohen aty ku këndi i musandarasë thyhet me këndin 45° për të krijuar një thyerje të pjesës së dollapit me kanata të cilët hapeshin deri te faqet e gaxhapeve. Pamvarësisht kësaj në rastet më të vjetra kur gjithë volumi i musandarasë ishte në një plan, dhe gaxhapet hasen po ashtu planin e drejtë të musandarasë. Ka raste të veçanta, kur kurbëzimet e elementëve dekorativë të musandarasë ndiqen dhe nga forma e gaxhapeve.

Këto kamare në elementin e realizuar me dru pishe (Rrobull) janë shpesh gjysmë të hapura ku dy fletë druri të gdhendura ose një e tillë vedoset në formën e një “perdeje” ne ballin e kamares. Ka raste kur gaxhapet mbyllen krejtësisht me një kanat si në rastin e banesës Zeko (Zekate). Motivet e përdorura për dekorimin e gaxhapeve janë floreale me gjethe e lule të kurbëzuara por ka dhe motive me zogj (pallonj) të vendosur përballë njëri tjetrit, motive gjeometrike etj. Pamvarësisht elementëve dekorative, nuk përjashtohen dhe rastet kur ato janë thjesht disa kamare pa dekoracion por me një kornizë me profil të lehtë. Këto raste shpesh hasen në musandaratë e odave dimërore. Në odat e mira (të miqve) dekoracionet janë prezente në të shumtën e rasteve dhe ndryshojnë mes tyre dhe brenda një grupi gaxhapesh. Gaxhapet siç u përmend hasen në musandara të fund shek. XIX dhe fillim shek.XX por ndihet që janë reminishenca arkitektonike pasi elementi i kompleksit musandër-dhipato vjen në këtë kohë me transformime të konsiderueshme duke i humbur në shumë raste elemetët e gaxhapeve apo të pjesës së kafazit të dhipatos deri në heqjen apo mbylljen e tyre.

Variacionet dhe trajtimi i elementit të Gaxhapes është pa dyshim pjesë e zhdërvjelltësisë dhe e shpirtit krijues të mjeshtërve që kanë punuar në Gjirokastër.

Fig. 2; Elementët dekorativë të një Gaxhapeje.   

 

Fig. 3; Gaxhape me dy fletë druri të gdhendura me motivet e gjetheve dhe një “porte” të stilizuar që qëndron mbi dy kollona. Fletët të punuara mëvete qëndrojnë simetrikisht përgjatë aksit të gaxhapes. Banesa Skënduli – Palorto.

 

ab

Fig. 4; a. Foto nga Federica Pompejano 2010 ku duket që gaxhape e kreut është e mbyllur me një kanat. Në foton b. e realizuar nga Kreshnik Merxhani më 2014 duket që kanati mungon (ndoshta i hequr prej vizitorëve). Nga ndryshimi i ngjurës më pjesën tjetër të musandarasë duket që të gjitha gaxhapat kanë patur kanata.

 

Fig. 5; Gaxhape të thjeshta dhe të hapura në të dy krahët e musandarasë së pateve (oda dimërore) ne banesën Çabej – Palorto.

 

Fig. 6; Grupi i gaxhapeve në musandaranë e odës së mire në banesën Çabej – Palorto. Këtu forma e kurbëzuar në çatmanë e suvatuar ndiqet dhe nga kurbëzimi i gaxhapeve.

 

Fig. 7; Grupi i gaxhapeve në musandaranë e odës së mire në banesën Çabej – Palorto. Këtu forma e kurbëzuar në çatmanë e suvatuar ndiqet dhe nga kurbëzimi i gaxhapeve. Vihet re dhe trajtimi i planit të dytë të relievit ku qëndrojnë motivet floreale dhe me zogj me ngjyrë blu submarinë e quajtur në Gjirokastër me emrin “çivi”.

Skica dhe foto nga Kreshnik Merxhani, Foto 4.a nga Federica Pompejano

 

Kreshnik Merxhani  është diplomuar për Arkitekturë në Universitetin Politeknik të Tiranës. Ai është i fokusuar përgjithesisht në Arkitekturën Tradicionale.
Prej 2008 ai është i angazhuar si bashkëautor në projekte restaurimi dhe rijetëzimi të disa monumenteve të periudhës Osmane dhe Komuniste kryesisht në Qytetin e Gjirokastrës.

 2014-2016 ka qenë Shef i Sektorit Teknik pranë DRKK – Gjirokastër, zyrë në varesinë e Ministrisë se Kulturës.
Gjatë kësaj kohe ka qenë Arkitekti kryesor për hartimin e disa projekteve të rëndësishme si Projekti për Restaurimin dhe Rijetëzimin e Kalasë së Libohovës, Projekti për Restaurimin e Banesës së Eqerem Çabej etj.


Warning: Parameter 2 to qtranxf_excludeUntranslatedPostComments() expected to be a reference, value given in /hermes/bosnacweb07/bosnacweb07ay/b2860/dom.arkitektezacom/public_html/wp-includes/class-wp-hook.php on line 286
No Comments Yet

Comments are closed