Mbi Arkitekturën dhe Kujtesën_pjesa 3: PRISHTINA!

Prej dhjetorit të vitit 2016-ës e deri në fund të vitit të kaluar, Kosova ka humbur 9 monumente të trashëgimisë kulturore. Janë rrafshuar në tërësi e në dy prej tyre këtë e ka bërë një institucion shtetëror. Pos kësaj, 11 asete i janë shtuar listës “Trashëgimia në rrezik”.

Asgjë e huaj për realitetin tonë, në këtë anë të kufirit. Sidomos në muajt e fundit u intensifikua diskutimi mbi trashëgiminë, gjendjen e saj, monitorimin e mirëmbajtjen. Rrënimi i Urës së Hoshtevës prej shirave përkundër alarmeve ngritur nga ekspertë, tregoi brishtësi në përballjen e monumenteve me natyrën.

Mirëpo, brenda pak javësh debati kaloi nga tërësisht profesional në shoqëror, historik e politik. Teatri Kombëtar, plani për rrënim, propozimi nga Bjarke Ingels, zhurma që e pasoi, ngritën në fakt pyetjen : Pse degradojnë objektet? A ka qëllime pas degradimit?

Kosovë, Mars 2018

Fasadë në Bulevardin Kryesor të Prishtinës

Ora 4.30, me kryeredaktorin e Ndertimi.info, Uranin, në një ecje nëpër Prishtinë, rrok në kokë ky mendim:

Prishtina është e rrënuar, në një fazë të ndërmjetme ku nuk di ç’përfaqëson, prej kujt dëshiron të largohet e kujt do t’i ngjajë. Respekton në toponime emra ushtarësh, gjeneralësh, trimash (a ka patur qytet para luftës?), e përveç një bulevardi të mirëlidhur, qyteti gjallon pjesshëm.

Shkolla e parë shqipe në Prishtinë

“Kjo është shkolla e parë shqipe në Prishtinë, ngjan e trishtë. Ah, kjo është Konsullata Serbe. E rrënuar. Donin t’a fshinin nga dheu, por për fat Austriakët do e ndihmojnë rindërtimin. Grandi.. (pshehrëtimë: Grandi qëndron në Prishtinë si një  elefant që të gjithë e shohin, e kanë frikë, bëjnë sikur nuk e shohin, e nuk flasin për të)  Parking. Ky është shfrytëzimi më i preferuar i hapësirës. Kjo këtu ka qenë pub, tani është parking. (po ashtu dhe çdo oborr vile, hapësirë e ndërmjetme, përcjell një klaustrofobi makinash që mbysin cdo centimeter.)”

Ora 18:00

Vendi i debatit, Lapidariumi i Muzeut Kombëtar

Në Lapidariumin e Muzeut Kombëtar, Cultural Heritage without Borders (CHwB) organizoi një debat publik mbi Hapësirat e braktisura të Kosovës. Debat real, jo në studio televizive, përkundrazi, duke i imponuar studiot të vinin në të. Kishte 70 karrike në sallë; numëroheshin mbi 120 pjesmarrës në debat.

Paneli ishte i përbërë nga përfaqësues të Ministrisë së Kulturës, arkitektë, sociologë, sipërmarrës të rinj, aktivistë publikë, përfaqësues të Bashkisë Prishtinë.

Aktivitet nxitur nga publikimi i Monumenteve të Braktisura të Kosovës, një libër me 50 tregime për 50 raste të tilla. Kryetari i CHwB Kosovë, Sali Shoshi theksoi paradoksin në braktisjen e këtyre objekteve:  Janë 262 objekte të identifikuara si të braktisura. Ato janë pjesë të historisë dhe memorjes kolektive. Ne jemi të lidhur me to, ku jetojmë në komunitet, nëse i humbim ato, atëherë humb edhe një pjesë e historisë. Ka një paradoks dhe ekonomik kjo braktisje. Për këto ndërtesa dikush dikur ka projektuar, punuar e ka humbur energji. Kjo energji ka me humb

Megjithatë, diskutimi nuk rrinte dot vetëm në korniza historike e arkitektonike. Braktisja shihet edhe si një impotencë në raportim me të kaluarën, qoftë dhe atë në raport me ish Jugosllavinë.

U tuta shumë që po e rrëzojnë krejt Konsullatën Serbe, që shumë i thojnë vetëm Konsullatë Austriake apo Ruse. Shteti i Kosovës duhet me marrë dhe me e ndreq edhe me i thënë Serbisë, ‘ja ku e ke gati konsullatën që e ke pasë, tash mundesh me bë ambasadë kur e njeh shtetin e Kosovës’”, tha Gashi.

Fëmijëve nuk i mësojnë për trashëgimin kulturore, si për trashëgimin mesjetare serbe, siç janë manastiret ortodokse. Jam i bindur që nëse ua mësojnë, mësuesit u thonë se ato kanë qenë shqiptare më parë, e gjëra të ngjashme. Nuk mësojnë për trashëgiminë kulturore për Periudhën e pushtimit osman. Te ne nuk mësohet as mbi objektet e trashëgimisë kultuore të socializmit jugosllav”, tha Gashi, e përmendi edhe hotelet e dëmtuara dhe të ndërrimit të fytyrës dhe origjinalitetit të tyre si “Swiss Diamond”, ndërtimet pranë hotelit “Pashtrik”-u në Gjakovë dhe të tjera.

Sipas Arbër Sadikit: “Më tragjike është se as në Fakultetin e Arkitekturës nuk mësohet asgjë për modernizmin jugosllav”. “Nuk është çështja se ne i mungojmë respekt një periudhe të caktuar. Pyetja është, ndaj kujt tregojmë ne respekt? Gjërat që nuk njihen nuk mund të duhen, por është paradoks si urrehen.”

Grand Hotel Prishtina

Një hapësirë braktiset për të njëjtat arsye që ndërtohet. Kur nevoja bie, atëherë ajo braktiset”, shtoi arkitekti Sadiki, e aktivizimin e tyre e sheh në forma të ndryshme, ku përmendi idenë e viteve të ’60-a, ku ishte propozuar që Hamami i Prizrenit të shndërrohet në galeri.

Në debat e sipër, pjesmarrës nga publiku nisën të jepnin ide mbi ritrajtimin e objekteve të rrënuara a të degraduara. “Duhet të rikthehen sic kanë qenë, të rindërtohen e të marrin funksionet që kanë patur”.

Mirëpo ndërhryja e Sadikit në këtë rast, më bëri të konfirmoja dhe bindjen time personale:

“Arkitektura nuk mund të zhvlerësojë efektin e kohës. Nuk ka sesi të pretendojmë të rindërtojmë dhe rikthejmë në funksionin fillestar diçka të shkuar. Shihni zhvillimin nga Koolhaas të Fondazione Prada në Milano. Një ndërhyrje bashkohore, që respekton të kaluarën, mirëpo i jep të tashmes e të ardhmes kuptim”.

Ora 20:00

Duke trokitur gota në fund të së gjithës, degjova:

“Ishte sikur Alber Speer po prezantonte projektin e Teatrit tuaj Kombëtar. Asnjë zë, asnjë replikë, vetëm pranim.”

 

Efijeni Kokëdhima
Mars 2018
Prishtinë

Warning: Parameter 2 to qtranxf_excludeUntranslatedPostComments() expected to be a reference, value given in /hermes/bosnacweb07/bosnacweb07ay/b2860/dom.arkitektezacom/public_html/wp-includes/class-wp-hook.php on line 286
No Comments Yet

Comments are closed