Mbi Arkitekturën dhe Kujtesën_pjesa 2

© Things we lost in the fire_Ilustrim nga Iris Nela

KUJTESË f.

  1. Aftësi e njeriut për të mbajtur mend dhe për të riprodhuar ato që ka parë, ka dëgjuar a ka mësuar në të kaluarën.
  2. Tërësia e përshtypjeve që ruan dikush në vetëdijen e tij për diçka që ka parë, që ka dëgjuar ose që ka mësuar në të kaluarën.
  3.  vjet. Kujtim.

Formimi i kujtesës kombëtare varet në masë të madhe nga suksesi i një kombi në ndërtimin e shumë formave përkujtimore: simboleve, ceremonive dhe festimeve, muzeumeve dhe monumenteve, traditës dhe teksteve kulturore që ofrojnë arena simbolike për të transmetuar kombin. Ndryshime të rëndësishme në jetën e kombit, qofshin ato shoqërore apo politike, ndryshojnë mendjen kolektive të qytetarëve të saj.

 

“Qytetet e shurdhër, të plogësht, është e vërtetë, përmbajnë fara të shkatërrimit të tyre dhe asgjë tjetër. Por qytetet e gjalla, të larmishme dhe intensive, përmbajnë fara të rigjenerimit të tyre, me energji të mjaftueshme për të mbartur problemet dhe nevojat jashtë vetes.” – Jane Jacobs, The Death and Life of Great American Cities

 

Në “Phaedrus” të Platonit, zoti egjiptian, Theuth, babai i të gjitha arteve, i ofron faraonit Thamus shpikjen e tij të fundit: shkrimin. Faraoni e kritikon atë, sepse ai beson se shpikja e alfabetit do t’i privojë njerëzit një nga dhuratat më të çmuara – ushtrimin e kujtesës. Për atë kujtesa është një tipar i brendshëm i mendjes, i cili lidhet me kohën, por jo me hapësirë (Umberto Eco, 1986). Eshtë e panevojshme të thuhet, faraoni ishte i gabuar; praktika e shkrimit nuk e ka vrarë ushtrimin e kujtesës, ajo e ka pasuruar atë vetëm dhe e ka bërë më efikase. Që nga kohët më të lashta arti i kujtesës ka qenë i lidhur ngushtë me hapësirën. Arkitektura ka qenë gjithmonë një nga mënyrat e ndreqjes së kujtimeve. Që të kujtojmë ngjarjet, njerëzit ndërtojnë monumente: kolona, pllaka, obelisqe, etj.

“Të kujtosh është sikur të ndërtosh dhe pastaj të udhëtosh sërish përmes një hapësire. Ne tashmë po flasim për arkitekturë. Kujtimet ndërtohen ndërkohë që  një qytet është duke u ndërtuar. “(Eco, 1986, f. 89)

Në librin e tij të vitit 1966 “Arkitektura e qytetit” (L’architettura della città ), Aldo Rossi risjell një koncept prej shekujsh të harruar tashmë, konceptin LOCUS. Pas një periudhe revolucionare moderniste ku arkitektë si Le Corbusier propozuan idenë e “tabula rasa” kur ndërhynë në qytet, Rossi risjell nocione të humbura mbi një marrëdhënie midis vendit dhe ndërtesës, që nuk bazohej vetëm tek materialja: ekziston një vend fizik dhe ekziston një ndërtesë fizike, por diçka tjetër. Ai argumentoi se “shpirti i qytetit” bëhet historia dhe kujtesa e saj.

Në fillim ai përkufizon Locus-in me termat e tij:

“Locus-i është një marrëdhënie midis një vendndodhjeje të caktuar dhe ndërtesave që janë në të. Është njëkohësisht unike por dhe universale.”

Pastaj e rimerr konceptin duke e shpjeguar origjinën tek mitologjia romake dhe se si u përkthye tëk veprat mesjetare te Palladios:

…”Situata” – vendi – qeverisej nga “genius loci”, hyjnia lokale, një ndërmjetës që drejtonte gjithçka që do të ndodhte në terrotir. Koncepti i lokusit ishte gjithashtu i pranishëm për teoricienët e Rilindjes, edhe pse në kohën e Palladio-s dhe më vonë Milizia-s trajtimi i tij mori një aspekt gjithnjë e më shumë topografik dhe funksional. Në shkrimet e Palladio-s, ende mund të ndiejmë praninë e gjallë të botës klasike, sekretin jetësor të një marrëdhënie të vjetër dhe të re. Më shumë se vetëm një funksion i një kulture arkitekturore të veçantë, kjo marrëdhënie shfaqet në vepra si Villa Malcontenta dhe Villa Rotonda, në të cilën është pikërisht “situata” e tyre urbane që i rrethon, e cila kushtëzon kuptimin tonë…”

Rossi këmbëngul që nuk është një koncept irracional që ai po përpiqet të ringjallë, por përmes një vepre përkthimi koncepti i lokusit mund të bëhet një term pothuajse shkencor që është i dobishëm për arkitektin dhe projektuesin e shekullit të njëzetë. Duke iu referuar ndërtesave të Palladio-s, Rossi më në fund vë në dukje lokusin dhe na tregon se ku mund ta gjejmë:

“ Ai banon në vetë objektin, në materialin e tij, në vazhdimësinë e ngjarjeve që shpalosen rreth tij dhe në mendjet e krijuesve të tij; por edhe në vendin që e përcakton – si në kuptimin fizik, por mbi të gjitha në kuptimin e zgjedhjes së këtij vendi dhe të unitetit të pandashëm që është vendosur mes tij dhe veprës.”

Në kuptimin e “mendjeve të krijuesve të tij”, Rossi shpesh i referohet nocionit të Halbwachs për një kujtesë kolektive. Maurice Halbwachs, sociolog francez, është i pari që na sjell konceptin “Kujtesë Kolektive” Ai argumenton se hapësira urbane është depozita e kujtesës kolektive. “Vendi që një grup zë , nuk është si një dërrasë e zezë, ku dikush mund të shkruajë dhe fshijë figurat sipas dëshirës” (1980, fq. 128). Qëndrueshmëria e rrjetit (gridit) dhe monumenteve të qytetit është struktura e fuqishme shoqërore. Ai diskuton rëndësinë e vendndodhjeve të vecanta fizike ose objekteve materiale, të cilave secili grup individësh u cakton një kuptim simbolik. Objektet e prekshme mbështesin kujtesën kolektive, dhe në këtë mënyrë ajo mund të gdhendet tek këto objekte.

Rossi argumenton se një qytet kujton nëpërmjet ndërtesave të tij, kështu që ruajtja e pëlhurës së vjetër urbane është analoge me ruajtjen e kujtimeve në mendjen e njeriut. Zgjedhja jonë e ruajtjes ose prishjes së pëlhurës së ndërtuar formon kujtesën tonë kolektive të hapësirës. Nëse shumë ndërtesa ose ndërtime të rëndësishme shkatërrohen, rrezikojmë humbja e kujtesës dhe krizë identiteti. Qyteti humbet dallueshmërinë e tij dhe nuk mund të vazhdojë të veprojë si udhërrëfyes apo shembull për njerëzit që jetojnë në të.

Aldo Rossi, Dieses ist langer – Ora questo è perduto, 1975

Me Parisin dhe tezën e sociologut Maurice Halbwachs në mendje, Rossi shkruan:        “… konfiguracioni aktual i një qyteti të madh mund të shihet si ballafaqimi i iniciativave të partive, personaliteteve dhe qeverive të ndryshme. Në këtë mënyrë plane të ndryshme mbivendosen, sintetizohen dhe harrohen, kështu që Parisi i sotëm është si një fotografi e përbërë, e cila mund të merret duke riprodhuar Parisin e Louis XIV, Louis XV, Napoleon I, Baron Haussmann në një imazh të vetëm . ”

Ky pasazh sjell në mendje psikoanalistin Sigmund Freud, i cili në librin “Qytetërimi dhe pakënaqësitë e tij” e përdor qytetin e Romës si një analogji për të ilustruar akumulimin dhe ruajtjen e materialit në pavetëdijen e dikujt. Freud shkruan se në jetën mendore asgjë që ka ekzistuar ndonjëherë është humbur. Ai na kërkon që të imagjinojmë Romën të jetë si e “pavetëdijshmja –  “një entitet psikik me një të kaluar të ngjashme të gjatë dhe të pasur, në të cilën asgjë nga e kaluara që ka pasur formë nuk ka humbur dhe në të cilën ekzistojnë të gjitha fazat e mëparshme të zhvillimit”.

“Ju nuk mund ta doni një qytet nëse nuk keni kujtime të varrosura atje” – Marina Tavares Dias

Tridhjetë vjet pas punës së Rossit, Christine Boyer shkruan për qytetin e kujtesës kolektive në librin e saj “City of Collective Memory” (1994); është një pikëpamje e rifreskuar, duke theksuar ndryshimet e fundit në shoqëri dhe në metropolin bashkëkohor. Qyteti modernist është larë tashmë nga listat e kujtesës dhe ne kemi humbur mjetet interpretuese për “përkthimin e kujtimeve dhe traditave në forma kuptimplota bashkëkohore” (Boyer, 1996, fq. 28). Sipas Boyer, “pastërtitë e planifikimit urban modern na kanë lënë ballë për ballë zhvendosjes, mosangazhimit dhe zhgënjimit kur bëhet fjalë për përvojën urbane” (fq. 28). Qyteti është shprehja kolektive e arkitekturës dhe mbart gjurmë kujtimi të formave më të hershme arkitekturore, planeve të qytetit dhe monumenteve publike.

Ndryshe nga cfarë u citua më sipër, një aspekt tjetër i marrëdhënies midis historisë dhe kujtesës është sjellë në konsideratë nga Modernizmi. Një ide që ishte në kundërshtim dialektik me urbanizmin e mëparshëm, Modernizmi u përpoq të fshinte kujtesën nga qyteti. Për shembull, vizionet urbane të Le Corbusier nuk lejonin kurrë monumente ose vende përkujtimore (Abrason, 2001). Stili Ndërkombëtar (International Style) krijoi një krizë kujtese; mungesa e kujtesës që ky stil la, është e ngjashme me mungesën e kujtesës në një periudhë të pasluftës. Në shekullin e nëntëmbëdhjetë dhe në fillim të shekullit të njëzetë kishte një ndjenjë të ndarjes nga format tradicionale të kujtesës. Në kohët postmoderne ka një humbje të vazhdueshme të kujtesës me qytetin e shekullit të nëntëmbëdhjetë. Michael Hebbert jep një përmbledhje në esenë e tij “Rruga si lokus i kujtesës kolektive”:

“. . . modernizmi i hershëm i shekullit të 20 celebroi rrugën, një modernizëm i mesit të shekullit të 20-të e refuzoi atë, një postmodernizëm i fundshekullit kërkon ta riparojë ”

Në shekullin e fundit shumë qytete kanë trajtuar temën e tejkalimit të së kaluarës dhe krijimit ose rindërtimit të kujtimeve. Disa nga rastet më interesante përfshijnë qytetet tërësisht të shkatërruara të palëve të humbura në luftë, siç janë qytetet në Japoni dhe Gjermani. Të dy u ballafaquan me çështje që shkonin nga ngritja e ndërtesave historike të rreme për të zëvendësuar pëlhurat e vjetra të shkatërruara nga lufta, për të projektuar ndërtesa moderniste, për të ruajtur reliket si dëshmi deri në fund të periudhave të vështira të kohës si rasti i Murit të Berlinit.

Kujtesa njerëzore është hapësinore. Ndërsa hapësira është formuar, ashtu është edhe kujtesa. Qyteti, rruga, sheshi, çdo hapësirë e përbashkët publike mund të jetë një vend i kujtesës kolektive. Ajo mund të identifikojë një grup, përmes manifestimeve fizike si monumentet dhe simbolet, vendet përkujtimore, emrat e rrugëve etj. Dhe mund të shprehë akumulimin e kujtimeve, nëpërmjet gjurmëve të lëna nga përdorimi i përditshëm.

… Kërkoni dhe mësoni të njihni se kush dhe çfarë, në mes të ferrit, nuk janë ferr, pastaj i bëni ato të durojnë,të rezistojnë, u jepni atyre hapësirë.”

– Italo Calvino, Qytetet e padukshme

Duke lexuar Rossi-n, bëhet e qartë se shumë ndërhyrje bashkëkohore në qytet janë të përqendruara në formimin e një ndërtese dhe pak kanë për qëllim formimin e një lokusi për kujtesën kolektive të qytetit. Ne kemi nevojë për më pak formë dhe me shumë “shaping”, t’i japim formë qytetit.

Nullus locus sine genio – ose nuk ka vend pa ‘shpirt’

 

ALDO ROSSI / THE CITY – “LOTUS OF THE COLLECTIVE MEMORY”

 

 


Warning: Parameter 2 to qtranxf_excludeUntranslatedPostComments() expected to be a reference, value given in /hermes/bosnacweb07/bosnacweb07ay/b2860/dom.arkitektezacom/public_html/wp-includes/class-wp-hook.php on line 286
No Comments Yet

Comments are closed