Skicepamja – Blendi Salaj

Nje laps, nje leter, dhe disa pyetje per t’u pergjigjur. Imazhet e meposhtme jane skicuar gjate intervistes nga Blendi Salaj

 

  Blendi Salaj

BLENDI SALAJ – Personalitet Radioje dhe Televizioni, Lektor and Aktivist Social.

arkitektëza : Ishim pjesë e një prezantimi nga ti vjet. Fole për TRIBU, si koncept se ajo që ne bëjmë, gjatë jetës, është të koleksionojmë eksperienca njerëzore, ngjarje, e të krijojmë tribunë tonë. 

Në këtë moment, sot, si duket tribuja jote ?

Blendi :

Si duket… ta vizatoj..hmm.

Tribuja ime është e përhapur.
S’dua të kuptohet si ai ylli komunist, se s’është ajo ideja.
Kjo është një tribu, siç e shoh unë.
Unë jam qytetar amerikan, kam jetuar gjatë atje dhe kam sigurisht interes për ngjarjet, po këto kohët e fundit, me çështjet politike, Trumpin, është sjellë akoma dhe më shumë në vëmendje.
Sa vjen dhe më duket bota më e vogël, në kuptimin shumë të mirë të fjalës.
Gjërat që ndodhin në Rumani, protestat… Kam miq gazetarë që ndjekin ngjarjet atje dhe më duket sikur gjithë ç’ndodh atje, mund të ketë impakt dhe këtu.
Disa shqiptarë gëzojnë që fitoi Trump aq shumë, se mendojnë që mund të ketë dhe ajo impakt tek ne.

 

arkitektëza : Përmende SHBA. Jam e bindur se para se të shkoje në SHBA imazhi yt për të ishte ajo e një stereotipi. Po aq e bindur jam që përjetimi që të mbeti pasi e jetove, është diçka tjetër.

Cili ishte imazhi yt për SHBA-të para se të shkoje aty ?

 

Blendi :

Po e mbaj mend, dhe konceptin do ta shpjegoj pak.

 

Imazhi im ishte ndërtuar i tëri nga televizori. Kishte të bënte shumë me palma, Majemi, ndërtesat e larta. Por ajo që ma bënte të veçantë, ishte se unë e mendoja amerikanin e zakonshëm, sikur fliste italisht. Të gjithë konceptin e kishim krijuar mbi filmat, dublimet; ato vende, vista, gjendje urbane, unë i kisha ngritur në kontekstin e dubluar. Po lë dhe shenjën, logon e Italia Uno-s këtu.
Ishin të gjithë të qeshur, të lumtur.

Gjëja e parë që kam parë, nga dritarja e avionit, ishte Nju Jork. Dukeshin në horizont qiellgërvishtësit, skyline që kishim parë nëpër filma. Ishte pasdite. Kisha udhëtuar prej shumë orësh, por veç në atë moment nisi të bëhej reale.
Ishte 1997, 17 shkurt i ‘97-ës.
Në Boston, s’kishte palma.

Ishte shumë ftohtë.

Dëborë, dimër.

 

arkitektëza : Ti shpesh arratisesh nga Tirana; poston foto shoh në natyrë, hiking, me biçikletë, etj. 

Prej cilës Tiranë ti ikën?

 

Blendi :

Tirana s’ka qenë kurrë qyteti më i bukur në botë. Unë jam rritur këtu dhe e dua shumë, por tani, nuk është më e njejta.

S’ ke ku lëviz më, s’ ke ku parkon më, pallatet njëra mbi tjetrën. Ti nuk shikon diellin, nuk shikon hapësirat. E kemi terrorizuar qytetin. Kësaj mundohem që t’ i ikë.
Kjo është shumë e lodhshme si Tiranë, po mbetet qyteti ynë.
Kjo është Tirana që më tremb, dendësia, mungesa e gjelbërimit.

 

arkitektëza :

TIRANA QË ZGJEDH?

 

Blendi :

Tirana që zgjedh unë, s’ka lidhje shumë me qytetin vetë por me këto gjërat që do t’ ju tregoj.
Këtu bëra mamanë.
Ajo që e bën Tiranën për mua nuk është vendi por janë njerëzit, janë gjërat që bëj unë në Tiranë.
Biçikleta, libri, radioja, familja, imë më , të gjitha këto kanë qenë arsye për të qenë afër.

 

arkitektëza : Poston herë pas here fragmente të bashkëbisedimeve me tët bir,BRIAN-in.

Si vjen ai tek ti, por jo në raportin prindëror, babë e bir, por si dialogues, bashkëbisedues?

 

Blendi :

Flet shumë, më shumë se unë, më surprizon gjithmonë.
Flet gjithë kohës për sistemin tonë diellor, për sisteme të tjera diellore, mund të numërojë dhe planetet xhuxhë.
Po qe puna tek shkenca, edhe për genet po t’ i flasësh, do të të dëgjojë.
Thotë që do të bëhet ndërtues, builder.
Dje i mësova fjalën kioskë që nuk e dinte, i tregova dhe ca kioska rrugës dhe pastaj më tha: “ Dua të punoj në një kioskë. “
Më habit se sa do që të dijë, ka një gropë të thellë që kërkon t’ ia mbushësh.
Kur i përvetëson të gjitha, fillon e t’ i thotë të gjitha mbrapsht.

Për shembull:
Një ditë i thashë : “ Ti je gjysmë si babi, gjysmë si mami.
ADN-ja jote është riformulim i ADN-së së mamit dhe babit dhe ti je unik, s’ ka asnjë tjetër si ty.
Je miks i veçantë.
Dhe më tha: “Po të tjetët janë edhe ata miks ?”
“Po,” i thashë.
“Pra, të gjithë jane unikë,” më tha, “ S’ qenkam dhe aq i veçantë.” 

 

arkitektëza : Unë lexoj për vetëmbrotje, thotë Woody Allen.

Ç’ është libri për ty, ai më i dashuri, si të ngacmon ?

 

Blendi :

Po u rikthehem këtyre palmave për një efekt të vetëm: librin e shoh si rrjedhën e një lumi në një botë me fruta, pemë, aventura.
Më kujtohet që në fëmijëri librat ishin një arrati e jashtëzakonshme.
Jam rritur në vitet ’80- të, mundësitë për argëtim ishin shumë të pakta dhe televizori, ai italian, punonte deri në orën gjashtë.
Vizatova Tom Sojerin, po i bëj edhe shokun e vet sikur janë duke ndenjur kështu, buzë lumit.

Libra kam lexuar plot, dhe për të rritur, por ndjesinë që të japin librat për fëmijë, nuk ma japin libra të tjerë.
Zhytja në fëmijëri ishte totale, nuk njoh ndjesi si ajo.
E dua letërsinë.

Letërsia është e kundërta e fundamentalizmit, sepse fundamentalizmi thotë që doktrina ka rëndësi, individi nuk ka rëndësi, individi është pjesë e turmës .

Kurse në letërsi personazhi është në qendër, individi.
Nuk ka asnjë libër ku personazhi është turma.

 

arkitektëza : “ Unë jam njeriu me shumë fytyra, por ndryshe nga hipokritët çdonjëra prej tyre është e vërtetë.”, thotë Kundera. 

Si është Blendi për ty ? Blendi për ty në një lloj pasqyre me ndërgjegje.

 

Blendi :

Atëherë duhet ta vizatoj si pasqyrë.
E bëra si kornizë.

 

Më duket vetja i vogël .

Jo në kuptimin i ri, sesa në kuptimin që ndjej se kam akoma shumë për të mësuar. Këtu në Shqipëri është pak anakronike se këtu njërëzit bëhen ministra që njëzet e katër.

Mundohem të jem i mirë me njerëzit, mundohem të bëj mirë.

Kam pasur një periudhë të kohës që jam rritur në Kishë, në Kishë protestante.
Jam i krishterë, por jo praktikant.
Disa mendime që kisha atëherë, nuk i kam më tani: nuk mendoj që Zoti është kaq strikt, dikë që nuk shkon në Kishë nuk do ta djegë në ferr.
Jam njeri shpirtëror dhe gjëja më e madhe që kam trashëguar nga ajo periudhë, është modestia.

Modestia në kuptimin e mirëfilltë të fjalës.

Nuk e shoh dot veten me të madhe: më vë shumë në siklet vëmendja e të tjerëve.
Mendoj që thelbi është thjeshtësi, kemi momente krenarie, që ndihesh mirë, por do të më vinte turp të mburresha e të pretendoja gjëra: mua më takon kjo dhe ajo.
Jashtë karakterit tim është konflikti: kam tolerancë shumë të ulët për konfliktin.
Jam njeri shumë i qetë, deri në një farë pike .

Gjëra që më pëlqejnë mua:

librat, dashuria, natyra.


Warning: Parameter 2 to qtranxf_excludeUntranslatedPostComments() expected to be a reference, value given in /hermes/bosnacweb07/bosnacweb07ay/b2860/dom.arkitektezacom/public_html/wp-includes/class-wp-hook.php on line 286
No Comments Yet

Comments are closed