dmake vs studioarch4

Dy studio, dy mendësi, dy realitete që bashkohen në një pikë: arkitektura.
Studioarch4 dhe dMake, janë dy studio themeluar nga arkitektë të rinj në Shqipëri dhe Itali, gjatë dy viteve të fundit.
Në një rrëfim që vetiu kthehet në krahasim, do të njohim ëndrrat e fillimit, hapat e para dhe përballjen mes pritshmërive e realitetit.
Kjo rubrikë dëshiron të skanojë rrethanat, shanset, vështirësitë dhe sfidat në vende të ndryshme të botës për studio të reja arkitekture.

_________________________________________________________

article poster

arkitektëza: Përshëndetje! Jeni studiot e para, pjesë e këtij blogu e duam të prezantoheni. Cilët jeni? Pse quheni Studioarch4/ dMake?

 

Studioarch4: Përshëndetje! Jemi studio arkitekture që nisi nga një miqësi e bashkëpunim në fakultet. Punonim part time me njëri tjetrin, derisa më vonë kuptuam që këto pak orë të pasditeve shërbejne për të krijuar atë që ne duam: arkitekturë. Ishte trend kur ne nisëm, që të përfshihej ‘arch’ gjithandej, (ArchHouse si eksperiencë e mëparshme). Nisëm me katër persona dhe Studioarch4 na u duk interesante.

 

dMake: Jemi 4 arkitektë, kemi një studio interdisiplinare që merret me arkitekturë, art, dizajn. Pse Dmake? D si dizajn. Make…make kuptohet. 😊

 

arkitektëza: Cila ishte ëndrra juaj e madhe kur hapët studion?

Studioarch4: Nisëm si fillim në shkollë, si bashkëpunim për detyrat, filluan disa punë të vogla dhe grupi u krijua natyrshëm, për të vazhduar në një Studio të mirëfilltë. Kishim sigurisht një ëndërr, por kur je duke shkuar drejt saj e harron, e zmadhon, dhe nis e drejtohesh tjetërkund.
Po të kthehemi pas e të mendojmë, ndoshta nuk e kishim kaq të madhe ëndrrën e fillimit.

dMake: Të linim një shenjë. Në vend që të shkonim jashtë, vendosëm të ndërtonim diçka tonën në Itali, të krijonim një hapësirë hibride ku bashkohen tre komponentët: arkitekturë, art dhe dizajn.

arkitektëza: Si ishte të hidheshe në realitet?

Studioarch4: Problemi i parë ishte ballafaqimi me tregun. Mungonin pajisjet, infrastruktura, një vend, aspekti ligjor, si ta themelonim ligjërisht zyrën. Shkolla na bën të jemi shumë të zote brenda një pjese shumë të vogël të profesionit tonë. Ne mund te zihemi me njëri- tjetrin sa duhet trashësia e vijës, por në një zyrë, projektimi është vetëm një pjesë e vogël e shumë hallkave që duhet të ketë një studio arkitekture, e në shkollë nuk i mëson këto.

“Kjo është sfida jonë: të kërkojmë të jemi përherë të ndryshëm.”

dMake: Kur hap një zyrë imagjinon të bësh gjëra të mëdha, por sidomos në fillim nuk është keshtu. Sidoqoftë, po marrim kënaqesitë tona sepse po punojmë mbi projekte, workshope, bashkëpunojmë me shkolla. Tani, qëllimi ynë është të rikrijojmë veten përherë, të luftojmë statiken. Kjo është sfida jonë: të kërkojmë të jemi përherë të ndryshëm.

 

arkitektëza: Si është të hysh në treg? Cilat janë llojet e projekteve që e realizojnë këtë?

 

article posterInterior Apartamenti i Lurit studioarch4

Studioarch4: Në fillim besonim se kishim aftësi por nuk kishim aq besim në vete sa të nisnim një studio. Sot mendojmë se bëmë gjënë e duhur duke parë Shqipërine, kontekstin, mënyrën sesi gjerat bëhen. Ky vend është i cuditshëm sepse ti mund të fillosh të punosh me një rrogë të ulët ose mesatare, dhe pastaj pasi ti rritesh ka një limit, në pagë dhe pozicion, nuk rritesh dot më tej kur punon për tjetërkënd.

 

Pastaj, sheh tregun dhe kupton se është më e lehtë të kesh klientët e tu sesa të punosh për dikë tjetër. Kjo është e cuditshme por dhe e bukur, sepse të hedh në treg jo 100 % të përgatitur, por duke punuar e mësuar paralelisht.

 

article posterDig House, interior design by dMake

dMake: Hmmm… Interior. Nëse dikush mbetet i kënaqur, përhap fjalën dhe kështu nisin të vijnë projektet e para. Restaurimet dhe interior veç të tjerash, na japin mundësinë të performojmë dhe në fushën e artit. Në restaurim puna është dhe më e thjeshtë, klienti i ka idetë e qarta, e di çfarë do, ti e di ç’do bësh.

Konkurset na kanë sjellë vizibilitet por asnjë rezultat ekonomik. Mundësia për të eksperimentuar në fushën e printimeve 3d, ka patur gjithashtu kostot e veta. Në dizajn jemi në fazën eksperimentale sepse është e vështirë të hedhësh një produkt në treg.

arkitektëza: Ju jeni 4 dhe përpos gjërave që ju lidhin, ka gjithashtu elemente që ju ndajnë. Si është procesi i projektimit? A projektoni në grup? A funksiononi duke ndarë detyrat? Ka një lider?

Studioarch4: Gjithsecili nga ne i di të mirat e të këqijat, pikën e fortë dhe të dobët, dhe perpiqemi të shfrytëzojmë pikat e forta të gjithsecilit. Nuk ka hierarki mes nesh, të gjithë janë të përfshirë, të gjithë janë autorë dhe të gjithë shërbejnë në funksion të projektit.
Ne, përvecse kolegë, jemi miq të mire. Kjo është pikë e fortë, por ndonjëherë bëhet problematike sepse duhen marrë dhe vendime.

 

dMake: Nuk ka një mënyrë fikse. Kur vjen një projekt vendosim kush do ta kurojë më shumë se të tjerët, ndajmë punët dhe thuajse gjithmonë, kush ka me shume kohë të lirë, është ai që merr rolin e liderit. Jemi shumë fleksibël në drejtimin e projektit, gjithnjë bashkëpunues dhe aktivë në çdo fazë të tij.

 

arkitektëza: Si po e krijoni rrjetin e bashkëpunimeve, si e ndërtoni vizibilitetin në media, impaktin në reale dhe virtuale?

 

article posterKonkursi per rivitalizimin e qytetit student Studioarch4

Studioarch4: Kur u hapëm në filllim, lexonim, studionim, ku janë klientët tanë, ku gjenden, si mund t’ iu vejë fjala për ne.Secili punonte personalisht me njohjet e veta për të krijuar atë të studios. Kemi marrë pjesë në konkurse ku përveçse gjetëm bashkëpunëtorë, krijuam një rrjet njohjesh. Website është i rëndësishëm, jemi investuar në këtë drejtim.

 

Përsa i përket rrjeteve sociale, websiteve të njohura, Archdaily dhe të tilla, janë prestigjoze e shërbejnë më tepër per t’ u ngritur në hierarki, për impakt virtual, sesa për një lidhje të drejtepërdrejtë me klientët në Shqipëri, pasi nuk e njohin shumë.

 

article posterdMake featuring in many online magazines/blogs, such as GQ Portugal, DDN, designboom, etc.

dMake: Nëse i shfrytëzon mirë hapësirat sociale, arrin që punët e tua të kenë vizibilitet. Po përpiqemi të shfrytëzojmë maksimalisht Facebook, Twitter, kemi patur dalje në Archdaily, GQ, në televizion gjithashtu. Lidhur me bashkëpunimet, kanë qenë të njohurit tanë, ose miq të të njohurve tanë duke rritur rrjetin e kontakteve në këtë mënyrë. Bashkëpunimi me Lamplant, ishte një rastësi, ishin ata që na kontaktuan, përmes mikut të një tjetër miku.

 

arkitektëza: A investoheni në kontaktin me studiot e huaja, emrat e mëdhenj, bashkëpunoni me ta, i synoni tregjet ndërkombëtare?

 

article posterKonkursi per Hyrjen e liqenit studioarch4 Azpml

Studioarch4: Kjo është një etapë që ne e mendojmë, ndoshta për momentin nuk jemi në tregun ndërkombëtar, por kemi bërë bashkëpunime me studio të huaja. Synojmë të hyjmë në qarkun e profesionistëve që elaborojnë ide me vizibilitet ndërkombëtar dhe kjo është diçka ndoshta edhe më e rëndësishme.

 

article posterGreen Academy project by dMake & piùtrentanovesei Architetti Associati con Agathe Gehin e Isaure Moutardier

dMake: Në tregun tonë, ekziston një strukturë hierarkike ku studiot e mëdha zgjedhin arkitektët e rinj, “të vegjël“ për të nënkontraktuar projektet e tyre. Studio nënkontraktore që punon me Renzo Pianon, është rritur aq sa nënkontrakton dhe ajo studio më të vogla për të punuar në projekte. Në Itali mund të arrish të bashkëpunosh si i barabartë, vetëm nëse fiton një konkurs të njohur, në të kundërt ke shumë pak shanse.

 

 

arkitektëza: Mjafton vetëm Arkitektura? Çfarë dimensionesh, projektesh, qasjesh keni ndaj tregut?

Studioarch4: Të ofrosh vetëm arkitekturë në tregun e ndërtimit është si të ofrosh lidhëset e këpucëve kur ai kërkon këpucë. Klienti do projektin inxhinierik, kontruksionin, interierin, detajet, nga fillimi deri në fund. Ky është mesazhi që tregu na jep, e detyra që lind për cdo studio serioze në vend. Ofrojmë një paketë shërbimesh, jo vetëm një projekt arkitekture.

dMake: Jemi duke punuar në arkitekturë; në restaurime pronash private, jo vetëm në Romë por dhe gjetkë, apartamente, vila, lokale. Mirëpo, po eksplorojmë drejtimin artistik të studios sonë. Kemi një projekt ambicioz, nje kalendar me artistë qe thirren drejtepërdrejt dhe kemi hapur nje anketë për artistë të rinj qe dëshirojnë të bashkëpunojnë me ne. Më shumë si workshop se sa galeri arti, synojmë një hapësirë ku dhe ne mund të bëhemi pjesë e procesit krijues. Gjithashtu, po mendojmë krijimin një startupi. Italia po u jep gjithnjë e më shumë mbështetje këtyre grupimeve të njerëzve që mblidhen për të eksperimentuar me teknologjinë, zhvillimin.

 

 

arkitektëza: Përveç arkitekturës, cilat fusha të tjera ju interesojnë?

 

article posterQyteti pa barriera , Studioarch4

Studioarch4: Fakti që kemi punuar në fushën akademike na bën të përpiqemi që të kërkojmë më shumë në pjesën teorike; “Qyteti për persona me aftësi të kufizuara” ka qenë një projekt në këtë drejtim. Ky projekt, mori input nga diçka konkrete. Kur takon njerëz me aftësi të kufizuara, kupton që nëse ti jeton në një qytet real, ata jetojnë në një qytet virtual, me vështirësi shumë të medha në aksesueshmëri. Ndaj roli i arkitektit në këtë rast është dhe ai i krijimit të një impakti social.

 

article posterLamplants, a project by dMake and Tech Team

dMake: Meremi shumë me dizajn industrial, printime 3D, art . Ndër projektet realizuar në bashkëpunim, ështe dhe Lamplant. Lamplant, një lampë me një dizajn organik frymëzuar nga vitet ‘50, e aftë për të krijuar jetë përmes teknologjisë, u realizua me Tech Team, e u prezantua në Maker Faire në Milano.

Projekti ynë i fundit ishte San Pietrino, një tjetër bashkëpunim. Ishte një projekt që kombinonte artin simbolik me teknologjinë 3D; statuja e një shenjtori printuar në 3D, me fytyrën e artistit. Duke futur monedhë 2 euro brenda statujës, ajo fillonte te qante. Mrekullia me pagesë- ky ishte thelbi i simbolikës së artistit. Ky ishte eventi i parë i artit që kemi realizuar.

 

 

arkitektëza: Ju jeni relativisht studio e vogël dhe mendoj se është e lehtë për ju të kontrolloni idetë dhe projektet. A është një synim juaji të zgjeroni studion apo mendoni të mbani këtë profil?

 

Studioarch4:: Sigurisht që duam të rritemi, megjithatë duam që të ruajmë filozofinë tonë në rritje. Për momentin po marrin arkitektë të rinj per stazh. Në fillim, kryesorja për ne ishte portfolio, ama me kalimin e kohës, ka shumë rëndësi për ne dhe intervista, për të kuptuar sa i gatshëm është një arkitekt i ri të përqafojë frymën tonë e të përshtatet.

dMake: Po, duam të rritemi, duam të zgjerojme skuadrën projektuese. Tani për tani e arrijmë mes bashkëpunimesh të jashtme, si dhe nëpërmjet stazhiereve. ( Tani po punojmë me një stazhiere franceze, dhe javës tjetër do të na bashkohet një stazhiere tjetër, dhe ajo franceze…Franca na adhuron !) Synojmë të shndërrohemi në një hapësirë të hapur ndaj çdo kontakti- të absorbojmë nga jashtë potenciale bashkëpunimi dhe eksperimetimi.

 

 

arkitektëza: Një pyetje e fundit për secilën studio. Së pari Studioarch4, mund të kombinohet në Shqipëri praktika me teorinë?

 

“Vizioni nuk është diçka e shkurtër,vizion mund të jetë dhe gjithë jeta.”

Këto mund të bashkohen. Projekt pas projekti duke implementuar ato parime dhe prakitka që rezultojnë të suksesshme, krijohet nje amalgamë idesh qe i ke të tuat. Kjo e bën “manifeston”. Nuk ka nevojë që të shpikësh por mjafton të lidhësh elemente, të provosh në praktikë që disa gjëra funksionojnë dhe të tjera kanë efekt më të madh sesa mendoje.

Jemi ne klientët e parë të vetes, para dhe klientit që na paguan. Ai nuk e di ç’ është cilësore në profesionin tonë. Duhet ta edukojmë, t’i tregojmë punimet tona.

 

article posterVilla Perrollaj Studioarch4

Arkitektura sot serviret si puna e ushqimit; ha një gjë të shpejtë, kënqesh e flak tutje. Nuk është ama kështu. Arkitektura është një gjurmë që mbetet. Qytetet që po ndërtojmë janë shëmbëlltyrë e keqe e gjërave që kemi bërë më përpara dhe duhet kohë që të përtypin një vizion të ri.

Vizioni nuk është diçka e shkurtër, vizion mund të jetë dhe gjithë jeta.

 

 

arkitektëza: Studio dMake, meqënëse skuadra juaj ka dy femra, sa e vështirë është të jesh arkitekte femër ne Itali?

 

article posterSan Pietrone, a project of Francesco Petrone with dMake, photography by Francesco Lamonaca

Është një vend maskilist, për një femër arkitekte, duhet të kesh këllqe. Imagjino në një kantier t’i thuash një punëtori mashkull se çfarë duhet të bëjë. Ti duhet të tregosh gjithnjë se di më shumë, në të kundërt nuk të merr askush në konsideratë. Ata e nisin marrëdhënien e punës me paragjykime, prandaj ti gjithnjë duhet të tregosh që di më shumë, në të kundërt nuk të marrin në konsideratë. Duhet të kesh karakter te fortë, duke bërë punën e dyfishtë të një mashkulli.


Warning: Parameter 2 to qtranxf_excludeUntranslatedPostComments() expected to be a reference, value given in /hermes/bosnacweb07/bosnacweb07ay/b2860/dom.arkitektezacom/public_html/wp-includes/class-wp-hook.php on line 286
No Comments Yet

Comments are closed