Koolhaas në shqip: Çfarë Ndodhi me Urbanizmin_pjesa 2

Rem Koolhaas, arkitekt , teorist i arkitekturës, urbanist dhe profesor në Harvard Graduate School of Design. Koolhaas studioi për arkitekturë në Architectural Association, Londër, pas një formimi si gazetar, shkrues skenaresh, ejt. Koolhaas eshte bashkethemelues i OMA, Hollandë. Në 2000 fiton Pritzker Prize. Në 2008, Time e vendos mes 100 njerëzve me më shumë influencë në botë. “

 

 

 

 

Whatever Happened to Urbanism
Rem Koolhaas, Bruce Mau, Hans Werlemann

S,M,L,XL (1995) 

Link : https://www.amazon.com/S-M-XL-Rem-Koolhaas/dp/1885254865

Pjesa 2:

“Ngujuar në Botën Virtuale”: skenar për një film horror. Raporti ynë i tashëm me ‘krizën’ e qytetit është thellësisht i paqartë: ne akoma fajësojmë të tjerët për një situatë ku utopizmi dhe përbuzja jonë e pakurueshme janë përgjegjëse. Përmes raportit tonë hipokrit me pushtetin- përbuzës sa ziliqar- ne çmontuam një disiplinë të tërë, zhdukëm veten nga operacionalja dhe dënuam popuj të tërë me pamundësinë e kodimit të qytetërimeve në territoret e tyre- i privuam nga thelbi i urbanizmit. 

 

Ne tani na ka mbetur një botë pa urbanizëm, vetëm arkitekturë, akoma më shumë arkitekturë. Pastërtia e arkitekturës është joshja e saj; përkufizon, përjashton, kufizon, ndan nga ‘tjetra’- por dhe konsumon. Shqyrton dhe ezauron potencialet qe lindin vetëm nga urbanizmi, dhe që veç imagjinata e urbanizmit mund të shpikë e rinovojë.  

 

Vdekja e urbanizmit- streha jonë në sigurinë parazite të arkitekturës- krijon një shkatërrim të pashmangshëm: shumë e më shumë substancë transplantohet nga rrënjë të uritura. 

 

Në momente më tolerante, ne i jemi dorëzuar estetikës së kaosit- kaosit “tonë”. Por, në terma teknikë kaosi është ç’ndodh kur s’ndodh asgjë, jo diçka që mund të projektohet apo përqafohet, është diçka që depërton; nuk mund të fabrikohet. Raporti i vetëm legjitim që arkitektët mund të kenë me kaosin është të marrim vendin e tyre të drejtë në ushtrinë e atyre të përkushtuarve për t’i rezistuar, e për të dështuar paskëtaj.  

 

Nëse do të ketë ndonjëherë ‘urbanizëm të ri’ nuk do bazohet në fantazitë binjake të rregullit dhe plotfuqisë; do të jetë vënia në skenë e pasigurisë; nuk do të shqetësohet më me kompozimin e më shumë apo më pak objekteve, por me vaditjen e territoreve me potencial; nuk do të kërkojë për konfigurime të qëndrueshme, por të krijojë fusha që mundësojnë akomodimin e proceseve që refuzojnë formën e përhershme; nuk do të jetë më për përkufizimin e përpiktë, vendosjen e limiteve, por për zgjerimin e nocioneve, kundërshtimin e limiteve, jo për ndarjen dhe identifikimin e copëzave, por për zbulimin e hibridëve të paemër; nuk do të fiksohet më me qytetin por me manipulimin e infrastrukturës për shtim dhe larmi, shkurtime dhe rishpërndarje- rizbulimi i hapësirës psikologjike. Meqënëse Urbania është tani depërtuese, urbanizmi nuk do të jetë kurrë më për ‘të renë’, për ‘më shumë’-n dhe ‘të modifikuarën’. Nuk do të jetë për të civilizuarën, por për të pazhvilluarën.  

 

Duke qenë se është jashtë kontrolli, urbania po bëhet vektori kryesor i imagjinatës. I rikonceptuar, urbanizmi jo vetëm do të jetë një profesion, por do të jetë kryesisht një mënyrë të menduari, një ideologji: të pranosh atë që ekziston. Ne po ndërtonim kështjella rëre. Tani notojmë në një det që i ka fshirë nga dheu. 

 

Ne po ndërtonim kështjella rëre. Tani notojmë në një det që i ka fshirë nga dheu. 

Për të mbijetuar, urbanizmi duhet të imagjinojë të renë e re. I çliruar prej detyrave të mbartura nga e kaluara, urbanizmi i rikonceptuar do të sulmojë arkitekturën, t’i pushtojë llogoret, ta nxjerrë prej bastioneve, t’i minojë siguritë, t’i shpërthejë limitet, t’i përqeshë angazhimet me thelbin e substancën, t’i shkatërrojë traditat, e të tymosë praktikantët e saj.  

 

Ai që duket si dështim i urbanizmit, ofron një shans të jashtëzakonshëm, një pretekst për kotësinë e Niçes. Duhet të imagjinojme 1,001 koncepte të tjera për qytetin; duhet të marrim rreziqe të marra; duhet të guxojmë të jemi tërësisht jokritik; duhet të gëlltisim thellë e të dhurojmë falje majtas e djathtas. Siguria e dështimit duhet të jetë gazi/oksigjeni ynë qeshës; modernizimi droga jonë më e fortë. Për sa kohë s’jemi përgjegjës, duhet të bëhemi të papërgjegjshëm. Në një peizazh me dobi të rritur dhe përkohshmëri, urbanizmi as nuk është e as duhet të jetë më solemnia e vendimeve tona; urbanizmi mund të na kënaqë, të bëhet një Poezi Amatore – Urbanizmi në kalori të pakta. 

 

Po sikur të deklarojmë thjesht se nuk ka krizë- të rikonceptojmë raportin tonë me qytetin jo si krijuesit por subjektet, mbështetësit e tij?   Më shumë se kurrë, qyteti është gjithë ç’kemi. 

përkthyer nga Efijeni Kokëdhima 
Publikuar për qëllime akademike, të gjitha të drejtat nën Monacelli Press, New York.

Warning: Parameter 2 to qtranxf_excludeUntranslatedPostComments() expected to be a reference, value given in /hermes/bosnacweb07/bosnacweb07ay/b2860/dom.arkitektezacom/public_html/wp-includes/class-wp-hook.php on line 286
No Comments Yet

Comments are closed